Last Updated on 28/05/2026 by Anisa
Nga Mentor Kikia
Shqipëria kaloi një “ngërç” sa i takon rrugëtimit të integrimit në BE. Raporti IBAR, një instrument që dëshmon klimën politike dhe punën e vendit kandidat, u kalua pas disa shtyrjeve. Ndërsa konferenca e radhës Shqipëri-BE, u mbyll me një puthjen e Marta Kos për Edi Ramën.
Këto sjellje dëshmojnë sërish mjedisin politik shumë të ngrohtë në Bruksel në raport me Shqipërinë dhe kjo është një gjë absolutisht shumë e rëndësishme për Shqipërinë.
Por nuk ka asnjë arsye për festë e për shampanjë. Puthja e Martës nuk mjafton, dhe jo për faj të saj.
Tani kemi hyrë pikërisht në fazën kur matet jo dëshira dhe gatishmëria jonë, por PUNA e vërtetë. Mund të mbyllim së shpjeti ndonjë kapitull, që kërkon vetëm përafrime ligjore, por puna e vështirë është përpara.
Kur të marrim pasaportën europiane, ne do të duhet:
-Të mbajmë zgjedhje të lira e të drejta!
-Të sigurojmë demokraci brenda partive dhe të marrë fund epoka e partive si pronë private e kryetarëve!
-Të ndalojmë paratë e errëta të financojnë fushatat elektorale dhe vetë makinerinë politike!
-Të marrim drejtësi në kohë, pa pritur 20 vjet për një vendim gjykate!
-Të bëjmë transparencë me fondet publike dhe institucionet të mos kthehen në organizata kriminale të tipit AKSH!
-Të kemi çliruar ekonominë nga dominimi i një grushti njerëzish(kompanish)!
-Të kemi një media të lirë, dhe TV-të të mos i hapin lajmet me statuset e kryeministrit në rrjetet sociale!
-Të garantojmë sigurinë ushqimore. Të mos shesim kosin me qumësht pluhur dhe vaj palme për kos deleje, e të mos mbysim produktet bujqësore me hormone që të piqen shpjet!
-Të ndalojmë shkatërrimin e mjedisit, të menaxhojmë mbetjet urbane e të ndalojmë shkarkimin e ujërave të zeza në lumenj e dete!
-Të investojmë në kërkim shkencor për t’iu përshtatur sfidave që po prodhojnë ndryshimet drastike të klimës!
Ka shumë e shumë kushte të tjera që duhet të përmbushim….
Padyshim, që ne nuk do të arrijmë dot asnjëherë standardet gjermane, franceze e suedeze. Por ne duhet me patjetër të krijojmë një nivel bazik, domethënës, për të dëshmuar liritë politike e njerëzore, nivel të pranueshëm të demokracisë, funksionimin e ligjit dhe shtetit, luftën ndaj korruptisnit, sigurinë publike etj.
Dhe këto duhen jo sepse janë kushte të BE-së, por sepse janë kushte për të garantuar një nivel më të mirë të jetesës sonë në këtë vend.
Ndaj, çdo hap ne nuk duhet ta masim me sa herë na përqafon dhe puth Marta Kos, por ku jemi me këto kushtet që duhen përmbushur, jo në letër, por në realitet!
