Aktori turk i njohur ndërkombëtarisht, Can Yaman, ka tërhequr sërish vëmendjen e publikut me një transformim të papritur të pamjes së tij. Yaman ka rruar mjekrën duke ndarë me ndjekësit e tij në rrjetet sociale një video nga berberhaneja ku dokumentohet gjithë procesi i ndryshimit.
Pamja e re ka bërë që fytyra e aktorit të duket më i re në moshë dhe ndryshe nga imazhi me të cilin fansat ishin mësuar prej vitesh. Reagimet në rrjete sociale janë të përziera: disa e kanë mirëpritur ndryshimin duke komentuar se “duket më mirë se kurrë”, ndërsa të tjerë shprehin nostalgji për pamjen e tij më të “egër” me mjekër.

Në përshkrimin e videos së publikuar, Yaman ka shkruar: “Si bëhet një personazh”, duke lënë të kuptohet se transformimi lidhet me një rol të ri në karrierën e tij.
Sipas mediave italiane, ndryshimi i pamjes vjen në kuadër të përgatitjeve për projektin e ri televiziv “Bro”, një sitcom i prodhuar nga Lux Vide, ku aktori do të luajë një rol të ri komik. Ai po ashtu është i njohur për projekte të mëparshme si “Sandokan”, “El Turco” dhe “Viola come il Mare”.
Ky transformim i ri ka ndarë opinionin e fansave, por një gjë mbetet e pandryshuar: karizma e Can Yaman vazhdon të tërheqë vëmendjen e publikut në çdo paraqitje të tij./mxh
