Last Updated on 07/07/2025 by adminfjala
Prokuroria e Shkodrës ka reaguar zyrtarisht pas akuzave të kryeministrit Edi Rama kundrejt prokurores së këtij institucioni, Elsa Gjeli, lidhur me disa objekte ndërtimi në zonën e Thethit.
Bëhet fjalë për disa shtëpiza druri dhe një pistë ovale betoni në mes tyre, përballë oborrit të kishës katolike të Thethit, ikonë dhe ndër atraksionet turistike më të vizituar në fshatin mes Alpeve.
Në reagimin zyrtar, Prokuroria Shkodër sqaron se ky fakt nuk plotëson kushtet për të filluar një procedim penal kundrejt prokurores Gjeli, pasi objektet në fjalë nuk përmbushin kushtet për tu cilësuar ‘objekt ndërtimi’, pasi janë të vendosura mbi pllaka guri, pa themele, dhe janë për funksion të përkohshëm.
Sipas kryeministrit Rama, “Elsa Gjeli ka refuzuar të hapë çështjen duke hedhur në kosh denoncimin e Policisë së Shtetit”.
Prokuroria Shkodër sqaron se është një institucion i pavarur dhe se çdo ndërhyrje politike nga jashtë në formë indirekte apo indirekte cënon parimin e këtij institucioni të drejtësisë, duke i cilësuar deklaratat e kryeministrit si një presion. m.p.