Monumenti simbol i pavarësisë së Kosovës, NEWBORN, është shndërruar sërish në qendër të një aksioni simbolik qytetar në 18-vjetorin e shpalljes së pavarësisë.
Platforma “Liria ka Emër” njoftoi se fillimisht monumenti është rrethuar me hekura metalike dhe është vendosur mbishkrimi “Kosova e burgosur!”, duke e paraqitur atë si një imazh burgu. Sipas organizatorëve, këtë mëngjes NEWBORN-i është mbuluar me rreth 5000 emblema magnetike të UÇK-së.

Në reagimin e saj publik, platforma thekson se aksioni është shprehje e pakënaqësisë ndaj proceseve gjyqësore që po zhvillohen në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, të cilat ata i konsiderojnë si padrejtësi dhe tendencë për rishkrim të historisë së luftës.
Eliza Hoxha nga organizata “Liria ka Emër” deklaroi se përfshirja e monumentit NEWBORN në këtë aktivitet synon të pasqyrojë, sipas saj, ndjenjën e padrejtësisë që qytetarët dhe Kosova po përjetojnë përballë këtyre proceseve.

NEWBORN, i vendosur në Prishtinë, është simbol i 17 shkurtit 2008 – ditës së shpalljes së pavarësisë – dhe çdo vit pëson transformime artistike apo simbolike që reflektojnë zhvillimet shoqërore dhe politike në vend. Këtë vit, ai u kthye në një formë proteste publike në përvjetorin e 18-të të Pavarësisë së Kosovës./kb
