Last Updated on 17/02/2026 by Anisa
Tetë shtetas nga Shqipëria rezultojnë në listën e anëtarëve të dyshuar të ISIS-it të transferuar nga Siria në Irak, sipas dokumenteve të publikuara në rrjet mbi operacionin e fundit të Shteteve të Bashkuara.
Shtetet e Bashkuara kanë transferuar 5,700 të ndaluar të mbajtur për lidhje të dyshuara me ISIS-in nga verilindja e Sirisë në Irak. Shtetet e Bashkuara nisën transferimin e të ndaluarve, përfshirë sirianë, irakianë dhe shtetas të vendeve të treta, më 21 janar 2026, në mes të një ofensive ushtarake të qeverisë siriane për të marrë kontrollin e verilindjes së Sirisë nga Forcat Demokratike Siriane (SDF), të udhëhequra nga kurdët. SHBA-ja kreu fluturimet e transferimit nën Operacionin e saj ushtarak “Operation Inherent Resolve”, përgjegjës për operacionet kundër terrorizmit në rajon. Zyrtarë irakianë kanë thënë se SHBA-ja ka rënë dakord të mbulojë koston e burgosjes së të ndaluarve në Irak dhe gjyqet e tyre të ardhshme, raportoi New York Times.
Autoritetet irakianë po i mbajnë të ndaluarit e transferuar në burgjet e Nasiriyahut dhe Karkhut, raportoi The National, ndërsa presin rezultatet e hetimeve të kryera nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Këshilli tha se mes të transferuarve ka edhe drejtues të lartë të ISIS-it të akuzuar për gjenocid dhe përdorim të armëve kimike.
ISIS-i kreu shumë mizori në Irak midis viteve 2014 dhe 2017.
Herën e fundit që Iraku ndërmori gjyqe për terrorizëm në një shkallë kaq të madhe ishte në vitet 2018-2019, pasi forcat qeveritare irakiane rimorën territoret e mbajtura nga ISIS-i. Shumë prej tyre u dënuan me vdekje pas një gjyqi 10-minutësh.
Që nga shkurti 2026, Iraku ka 30 burgje që strehojnë rreth 67,000 të burgosur, përfshirë rreth 1,600 shtetas të huaj, sipas Ministrisë së Drejtësisë së Irakut. Megjithatë, këto shifra nuk përfshijnë burgjet në Rajonin e Kurdistanit apo të ndaluarit e mbajtur nga forcat e sigurisë dhe grupe të ndryshme të armatosura në pjesë të tjera të Irakut.
Më 8 shkurt, Këshilli i Lartë Gjyqësor i Irakut njoftoi se të dyshuarit — që mbajnë shtetësi të 42 vendeve — do të ndiqen penalisht sipas ligjit irakian dhe se asnjë nuk do të ekstradohet derisa hetimet për krimet e tyre të dyshuara të përfundojnë plotësisht.
Iraku mbështetet gjerësisht në përdorimin e dënimit me vdekje, veçanërisht në rastet e kundër terrorizmit. Rreth 8,000 të burgosur janë në pritje të ekzekutimit. Më 10 shkurt, Iraku ekzekutoi gjashtë persona, ekzekutimi i parë masiv që nga pezullimi i dënimit me vdekje pas miratimit të një Ligji për Amnisti të Përgjithshme në janar 2025.
Iraku ende nuk ka një ligj që kriminalizon krimet thelbësore ndërkombëtare, përfshirë krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin. Luftëtarët e ISIS-it në vend të kësaj gjykohen sipas Ligjit Kundër Terrorizmit të vitit 2005 të Irakut, i cili dënon me vdekje për lidhje me një grup terrorist./fjala.al-A.D
