Moda po luan gjithnjë e më shumë me kufijtë mes asaj që quajmë këpucë dhe asaj që duket sikur nuk është fare aty. Chanel është shembulli i fundit, me një model sandalesh që krijon iluzionin e një këmbe pothuajse tërësisht zbathur.
Krijimi u prezantua nga Matthieu Blazy gjatë koleksionit Cruise 2027 të Chanel, në Biarritz, një qytet bregdetar që duket se ka ndikuar drejtpërdrejt në konceptin e dizajnit. Ideja lidhet me lirinë e ecjes në plazh dhe ndjesinë e të qenit zbathur, e përkthyer në një aksesor mode jashtëzakonisht minimalist.
Sandalet kanë vetëm një bazë të vogël lëkure në pjesën e thembrës, ndërsa këmbën e mbajnë disa rripa të hollë. Pjesa e përparme është pothuajse tërësisht e lirë, duke bërë që nga larg të duket sikur personi nuk ka veshur asgjë në këmbë.
Dizajni i pazakontë nuk mbeti vetëm në pasarelë. Margaret Qualley e solli atë në tapetin e kuq gjatë premierës së “The Dog Stars” në Londër, duke e kombinuar me një fustan të zi me thekë, gjithashtu nga koleksioni i Chanel.
Shfaqja e saj e bëri edhe më të dukshëm kontrastin mes elegancës së një look-u të tapetit të kuq dhe një pale “sandalesh” që mezi dallohen.
Nga një eksperiment minimalist në pasarelë, krijimi i Chanel tashmë po shfaqet në eventet më të rëndësishme të modës, duke ngritur edhe një pyetje interesante: sa material duhet të ketë një këpucë që ende ta quajmë këpucë?/mxh
