Last Updated on 31/08/2025 by adminfjala
Dy dekada pas themelimit, Lëvizja Vetëvendosje duket se po përjeton edhe një dridhje politike, me anëtarë “të rebeluar”, siç vërejnë analistët.
Nga një lëvizje e pavarur opozitare, që nisi me protesta të fuqishme kundër kompromisit politik dhe ndërhyrjeve ndërkombëtare, ajo u shndërrua në partinë më të madhe në Kosovë.
Por sot, kur është në kulmin e pushtetit, përballet me sfida të brendshme e të jashtme: kritika për stilin e qeverisjes, dilema mbi raportet me aleatët ndërkombëtarë dhe, së fundi, sinjale përçarjeje brenda strukturave të saj.
Vetë partia nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për të komentuar mbi ndarjet mes anëtarëve të saj.
E, ato u bënë të dukshme në fillim të kësaj jave, kur ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, nga radhët e Vetëvendosjes, dha dorëheqje, pas zgjedhjes së bashkëpartiakut të tij, Dimal Basha, në krye të Kuvendit të Kosovës.
“Konsideroj se zgjedhja e kryetarit të Kuvendit – institucionit më të lartë, ku vendosen ligjet dhe jep llogari Qeveria – nuk është në frymën e në lartësinë e atij ideali për Republikën që ka qenë dhe mbetet arsye angazhimi për mua”, tha Aliu.
Liburn Aliu, një nga themeluesit e Lëvizjes Vetëvendosje, dha rishtazi dorëheqje si ministër i Mjedisit, shihet pranë kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, gjatë një ngjarjeje më 2023.
Basha u kundërpërgjigj duke thënë vetëm se e “çmon kontributin e tij si aktivist në Lëvizjen Vetëvendosje”, por edhe punën e tij si ministër.
Ai tha se pakënaqësitë janë “të natyrshme”. Ngjashëm, edhe udhëheqësi i Vetëvendosjes, Albin Kurti, tha shkurtimisht se e “falënderon ish-ministrin Liburn Aliu për kontributin”.
Përkundër përpjekjeve, Radio Evropa e Lirë nuk arriti të bjerë në kontakt me Aliun. m.p.
