Nga Mentor Kikia!
Çfarë synojnë “rebelet” e rinj në Partinë Demokratike?
“Lëvizja” e fundit në PD tregon se zërat që kërkojnë rinovimin e lidershipit nuk janë më të heshtur. Nevoja që kupola drejtuese, me Berishën në krye e të tjerë pas tij, të marrin përgjegjësitë e tyre, është shumë e madhe.
Ka një situatë absurde:
Sa më shumë del në shesh korrupsioni i qeverisë, aq më shumë bie mbështetja për opozitën. Të thuash se nuk mundet me votë një qeveri që është bërë si ajo varka që fut ujë gjithandej, është e pashpjegueshme dhe bën përgjegjës lidershipin e kësaj partie, me gjithë makinerinë manipuluese të maxhorancës.
Por çfarë po ndodh?
Ata që kërkojnë ndryshimin, apo largimin e Berishës me grupin e tij të ngushtë nga drejtimi i partisë, takohen si dashnorë ilegalë nëpër kafe dhe nuk e zhvillojnë betejën brenda partisë.
Çfarë kanë në plan?
– Nëse duan të bëjnë parti të re, e sigurtë që ajo që do të arrijë është të kapin ndonjë drejtor hipoteke në qeverinë “Rama 5”.
– Nëse duan të rinovojnë PD-në, duhet të bëjnë një platformë, të lobojnë brenda partisë dhe garojnë me një kandidat në zgjedhjet e pranveres. Të largojnë Berishën dhe të ruajnë partinë.
– Nëse kanë në plan që të prodhojnë sa më shumë programe televizive në mbrëmje me titullin “Çfarë po ndodh me Partinë Denikratike?”, këtë e kanë të sigurtë që e fitojnë.
