Përpara mbërritjes në Shtëpinë e Bardhë, teksa përgatitej të largohej nga Izraeli të hënën me avionin zyrtar Wings of Zion, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi në një video-mesazh në hebraisht se gjatë takimit me presidentin amerikan Donald Trump do të diskutojë për të gjitha çështjet aktuale, duke theksuar se prioriteti kryesor do të jetë Irani.
Takimi i fundit mes dy liderëve u zhvillua në shkurt, përpara se Izraeli dhe SHBA të ndërmerrnin një sulm të përbashkët të paprecedentë ndaj Iranit. Netanyahu ka paralajmëruar prej dekadash se pajisja e Iranit me armë bërthamore do të përbënte një kërcënim ekzistencial për Izraelin. Megjithatë, konflikti nuk ka përfunduar dhe Irani nuk është detyruar të heqë dorë nga programi i tij bërthamor.
Sipas raportimeve, gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë, Netanyahu pritet t’i paraqesë Trumpit informacione të inteligjencës që pretendojnë se Irani ka rifilluar përpjekjet për të zhvilluar armë bërthamore dhe se po e bën këtë me ritme të përshpejtuara.
Nga pikëpamja strategjike, një vizitë e suksesshme mund të krijojë bazën për eliminimin e këtij kërcënimi me çdo mjet të mundshëm.
Në aspektin politik, një takim i suksesshëm do të forconte imazhin e Netanyahut si lideri kryesor ndërkombëtar i Izraelit, në linjë me liderin më të fuqishëm në botë, në prag të zgjedhjeve të përgjithshme në Izrael, të planifikuara për në fund të muajit tetor.
Në deklaratën e tij përpara nisjes, ku ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Sara Netanyahu, në një bazë ushtarake në jug të Izraelit, kryeministri kujtoi se ky është takimi i tij i tetë me Trump që nga rikthimi i këtij të fundit në presidencë për mandatin e dytë, duke theksuar se një numër i tillë takimesh është më i madh se ai i çdo lideri tjetër ndërkombëtar./mxh
