Një incident i fundit në Jemen ka zbuluar tensionet mes dy aleatëve kryesorë të SHBA-ve në Lindjen e Mesme, Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, duke sfiduar idenë se ekziston një “aks i përbashkët” arab kundër Iranit.
Sipas raporteve, Arabia Saudite sulmoi dy anije të Emirateve që transportonin armë dhe pajisje ushtarake për milicitë Houthi në jug të Jememit. Më pas, Këshilli Presidencial i Jemenit, nën udhëheqjen e Dr. Rashad Al-Alimi dhe me urdhër të Arabisë Saudite, kërkoi nga Emiratet të tërhiqnin trupat e tyre brenda 48 orëve dhe anuloi marrëveshjen e mbrojtjes midis dy vendeve.
Megjithëse Arabia Saudite dhe Emiratet janë aleatë në Këshillin e Bashkëpunimit të Gjirit dhe kanë marrëdhënie të ngushta tregtare dhe politike me SHBA-të, incidenti tregon se interesat lokale shpesh tejkalojnë aleancat strategjike. Në Jemen, diferencat mes dy vendeve janë të qarta: Arabia Saudite mbështet idenë e një Jemeni të bashkuar dhe stabil për të siguruar sigurinë e rrugëve detare, ndërsa Emiratet e Bashkuara përkrahin milicitë dhe forcat separatiste për të ruajtur ndikimin e tyre në zonat kyçe detare dhe tokësore.
Që nga fillimi i luftës në 2015, Houthi-t kanë arritur të kontrollojnë rreth 40% të territorit të Jemenit, përfshirë kryeqytetin Sanaa, pavarësisht ndërhyrjes së koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite dhe Emiratet, i cili përfshinte edhe mercenarë të huaj. Në vitet e fundit, Emiratet kanë mbështetur këto milici dhe kanë marrë nën kontroll ishullin Socotra, ku kanë ndërtuar baza ushtarake. Sipas disa burimeve, edhe Izraeli ka një bazë aty, e mbrojtur nga Emiratet.
Ky zhvillim tregon se aksioni i përbashkët i supozuar për të kërcënuar Houthit në praktikë nuk ekziston. Arabia Saudite duket e kujdesshme për të mos rifilluar luftën pas armëpushimit të arritur me Houthit rreth katër vjet më parë, ndërsa Emiratet fokusohen më shumë në kontrollin e milicive dhe influencës rajonale.
Incidenti i fundit thekson se interesat strategjike të vendeve të Gjirit nuk përputhen gjithmonë, edhe kur flitet për aleanca pro-perëndimore në Lindjen e Mesme./kb
