Bilanci i viktimave nga cikloni Gezani në Madagaskar është rritur në 20 të vdekur, nga nëntë që ishte raportuar më herët, sipas zyrës kombëtare të menaxhimit të fatkeqësive. Ishulli në Oqeanin Indian po përballet me pasojat shkatërruese të stuhisë së fuqishme.
Cikloni goditi bregun lindor me erëra të qëndrueshme që arritën rreth 185 kilometra në orë dhe me rafale deri në 270 kilometra në orë, forcë e mjaftueshme për të shqyer çatitë metalike dhe për të shkulur pemë të mëdha.
Përpara mbërritjes së stuhisë, autoritetet mbyllën shkollat dhe përgatitën strehimore emergjente për banorët. Zyrtarët paralajmëruan se niveli i detit në qytetin Toamasina kishte filluar të rritej, duke përmbytur rrugët edhe para se cikloni të godiste me forcë të plotë.
Shumë banesa u shembën nga presioni i erërave të forta. Çatitë u fluturuan, muret u rrëzuan dhe lagje të tëra mbetën pa energji elektrike pasi linjat e tensionit u këputën.
Sipas shërbimit meteorologjik të Madagaskarit, deri mëngjesin e së mërkurës, më 11 shkurt, Gezani ishte dobësuar në një stuhi tropikale të moderuar dhe kishte lëvizur drejt brendësisë së vendit, rreth 100 kilometra në veri të kryeqytetit Antananarivo./mxh