Last Updated on 06/10/2025 by adminfjala
Nëse flasim për universitetin më të vjetër në Evropë dhe botën perëndimore, emri i Bolonjës është i pari që del në pah. Kjo qendër historike e dijes, e themeluar rreth vitit 1088, njihet si universiteti më i hershëm në Perëndim. Fillimisht u përqendrua në studimet juridike, duke vendosur themelet për modelin klasik të arsimit të lartë evropian.
Por kur është fjala për universitetin e parë shtetëror, merita i takon Napolit. I themeluar në vitin 1224 nga Frederiku II i Suabisë, Universiteti i Napolit (Sot: Federico II) ishte i pari institucion arsimor i lartë që u themelua drejtpërdrejt nga një autoritet shtetëror, pa varësi nga Kisha apo organizma privatë.
Si u lindën universitetet në Evropë?
Universitetet evropiane u shfaqën gjatë Mesjetës së vonë, duke u frymëzuar nga tradita të mëhershme të dijes si akademitë e Greqisë së lashtë, shkollat romake, dhe në mënyrë të veçantë medresetë islame, të cilat nga shekulli XI kishin filluar të shpërndanin dije në fusha si matematika, filozofia, mjekësia dhe astronomia.
Në Evropë, universitetet u formuan fillimisht si bashkësi ose korporata të mësuesve dhe nxënësve (nga latinishtja universitas), të ngjashme me esnafet mesjetare. Qëllimi i tyre ishte jo vetëm studimi, por edhe mbrojtja e të drejtave të ndërsjella përballë autoriteteve civile dhe fetare.
Përhapja e universiteteve në Evropë
Pas Bolonjës, filluan të lindnin edhe qendra të tjera të arsimit të lartë:
-Oksfordi në Angli, me mësime të dokumentuara që prej vitit 1096,
-Kembrixhi, themeluar në 1209,
-Universiteti i Salamankës në Spanjë, i themeluar më 1218,
-Sorbona në Paris, e cila nisi si kolegj teologjik më 1257, për të evoluar më vonë në një universitet të plotë.
Me kalimin e shekujve, këto institucione nisën të organizohen në fakultete, duke ndarë disiplina të ndryshme si filozofia, teologjia, mjekësia dhe drejtësia. Ato formësuan strukturën që edhe sot mbetet themel i arsimit akademik modern.
Përgatiti: L.Veizi
