Inflacioni në Shtetet e Bashkuara u rrit në shtator, duke shtuar shqetësimet për një tjetër rritje të normave të interesit nga Rezerva Federale, vetëm pak javë para zgjedhjeve të mesmandatit.
Sipas raportit të Byrosë së Statistikave të Punës, inflacioni vjetor arriti në 3.7 për qind, nga 3.4 për qind në gusht. Në baza mujore, çmimet u rritën me 0.6 për qind, kryesisht për shkak të shtrenjtimit të karburanteve.
Çmimet e benzinës u rritën me 9.1 për qind gjatë shtatorit, duke kontribuar në më shumë se gjysmën e rritjes mujore të indeksit të çmimeve të konsumit. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ato janë rritur me 34.2 për qind. Tensionet mes SHBA-ve dhe Iranit, si dhe konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës, kanë ndikuar në rritjen e çmimeve globale të energjisë.
Edhe kostot e banimit shënuan rritje prej 0.4 për qind gjatë muajit, ndërsa çmimet e ushqimeve mbetën të pandryshuara. Megjithatë, disa produkte ushqimore u shtrenjtuan, përfshirë frutat dhe perimet, ndërsa çmimet e qumështit dhe mishit të viçit ranë.
Një tjetër rritje e ndjeshme u regjistrua te programet kompjuterike dhe aksesorët, çmimet e të cilëve u rritën me 28 për qind krahasuar me një vit më parë. Sipas analistëve, investimet e mëdha në infrastrukturën e inteligjencës artificiale po ndikojnë në këtë tendencë.
Të dhënat e reja vijnë përpara vendimit të radhës të Rezervës Federale për normat e interesit. Pas rritjes së fundit me 0.25 pikë përqindjeje, normat aktualisht ndodhen në intervalin 3.75–4.00 për qind. Tregjet financiare mbeten të ndara mes pritshmërive për mbajtjen e normave në nivelet aktuale dhe mundësisë së një tjetër rritjeje.
Sipas të dhënave të CME FedUatch, probabiliteti që normat të mbeten të pandryshuara vlerësohet në 52.9 për qind, ndërsa mundësia e një rritjeje të mëtejshme prej 0.25 pikë përqindjeje arrin në 47.1 për qind.
Rritja e inflacionit shton presionin politik ndaj republikanëve përpara zgjedhjeve të mesmandatit, që do të mbahen më 3 nëntor. Një sondazh i fundit i Reuters/Ipsos tregoi se rreth 78 për qind e amerikanëve fajësojnë politikat e presidentit Donald Trump për rritjen e çmimeve.
Pas publikimit të raportit, tregjet amerikane shënuan rënie. Nasdaq ra me 0.8 për qind, S&P 500 humbi 0.6 për qind, ndërsa Dou Jones mbeti pothuajse i pandryshuar gjatë kuotave të tregut të mesditës./MXH
