Last Updated on 05/11/2026 by Anisa
Cristiano Ronaldo ka njoftuar tërheqjen nga futbolli ndërkombëtar, duke i dhënë fund karrierës së tij me kombëtaren e Portugalisë pas 23 vitesh.
Futbollisti 41-vjeçar e bëri të ditur vendimin përmes një deklarate emocionuese, në të cilën iu drejtua tifozëve portugezë dhe falenderoi të gjithë ata që e kanë shoqëruar gjatë rrugëtimit të tij me fanellën e kombëtares.
Ronaldo largohet nga Portugalia me një bilanc prej 146 golash në 234 ndeshje. Gjatë kësaj periudhe, ai fitoi Kampionatin Evropian në vitin 2016, si dhe dy trofe të Ligës së Kombeve.
Vendimi vjen pak javë pas përplasjes së tij me trajnerin e ri të Portugalisë, Jorge Jesus. Konflikti përfundoi me largimin e Ronaldos nga grumbullimi i kombëtares gjatë periudhës së ndeshjeve ndërkombëtare në shtator dhe tetor.
Në deklaratën e tij, Ronaldo theksoi se fanella me numrin 7 nuk i përkiste vetëm atij dhe se kishte ardhur momenti t’ua linte brezave të ardhshëm.
“Një rrugëtim që nisi në gusht të vitit 2003 dhe që ma ndryshoi jetën përgjithmonë, po merr fund. Sot përfundon rrugëtimi im në fushë me kombëtaren. Largohem me kokën lart, krenar për rrugën që kam përshkuar dhe i vetëdijshëm se i dhashë gjithçka Portugalisë”, u shpreh ai.
Ronaldo shprehu gjithashtu mirënjohjen për shokët e skuadrës, trajnerët, stafin dhe familjen, ndërsa theksoi se do të vazhdojë të mbështesë Portugalinë dhe të festojë çdo fitore të saj.
Ndërkohë, ai shpreson që djali i tij, 16-vjeçari Cristiano Junior, të vijojë traditën familjare në futboll, pasi këtë javë është grumbulluar me kombëtaren U-17 të Portugalisë./ad
