Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe kallëzuesi i çështjes së njohur si dosja “Partizani”, Taulant Balla, është paraqitur këtë të enjte në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku ka dëshmuar lidhur me kallëzimin e depozituar në SPAK.
Gjatë dëshmisë së tij, Balla sqaroi se kallëzimi është bërë në cilësinë e qytetarit, ndërsa theksoi se që prej vitit 2012 kishte ngritur dyshime për mënyrën se si është zhvilluar privatizimi i ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Sipas tij, procesi i privatizimit nuk është kryer sipas procedurave ligjore dhe ka pasur shfrytëzim të lidhjeve dhe ndikimeve për përfitime të paligjshme.
Ai shtoi se privatizimi është kryer në një kohë shumë të shkurtër dhe me vlera që sipas tij nuk pasqyronin realitetin e pronës, duke përmendur gjithashtu edhe dyshime për fshehje pasurie dhe ndërmjetësim të paligjshëm.
Gjatë seancës, Jamarbër Malltezi e pyeti Ballën mbi pozicionin e tij në momentin e kallëzimit, ku ai u shpreh se mbante funksione politike në Partinë Socialiste dhe në Kuvend, përfshirë edhe atë të kryetarit të grupit parlamentar.
Balla deklaroi se informacionet mbi të cilat është bazuar kallëzimi janë marrë nga institucione shtetërore dhe denoncime të qytetarëve, duke theksuar se materialet i janë bashkëngjitur SPAK-ut në mënyrë zyrtare.
Dëshmia e Ballës
Taulant Balla: “Prej vitit 2012 e në vijim kam paraqitur dyshimet e mia për mënyrën se si është proceduar nga organet përgjegjëse për privatizimin e kompleksit “Partizani”. Në vlerësimin tim, ky proces privatizimi nuk është zhvilluar në përputhje me procedurat ligjore. Persona të ndryshëm kanë shfrytëzuar koncesionet e tyre dhe lidhjet familjare në lidhje me këtë proces. Nga një numër shumë i madh provash, bie në sy se si në një mënyrë kaq të shpejtë është kryer vetëm një privatizim i tillë. Në Shqipëri, gjatë gjithë këtyre viteve, ish-pronarët vuajnë për njohjen dhe kthimin e pronës së tyre, ndërkohë që brenda një periudhe 6-mujore është kryer procedura e njohjes dhe kthimit të godinës në këtë rast. Ajo që u vu re në atë kohë ishte se si një kompleks si “Partizani” ishte hequr nga plani i ushtrisë. Në një dokument rezultonte se ishte në plan përhapjeje, ndërsa në një tjetër jo. Për këtë arsye i kërkova prokurorisë të hetonte. Në vlerësimin tim, dy godina të mëdha me sipërfaqe të konsiderueshme nuk mund të vlerësoheshin me 10 milionë lekë të reja. Ishte e dyshimtë se si, brenda një kohe 6-mujore, u realizua i gjithë ky proces. Kjo përbënte dalje nga normat kohore mesatare që ndiqen për prona të tilla. Në kallëzimin tim kemi hedhur edhe dyshimin se kemi të bëjmë me një formë të fshehjes së pasurisë apo të ndërmjetësimit të paligjshëm. U krijua një kompani, me pronar një nga të akuzuarit, dhe rezultoi se ky pronar ia kaloi përqindjen e aksioneve dy personave të tjerë që ishin të përfshirë në këtë proces. Sali Berisha, për shkak të pozicionit si kryeministër, përfitonte nga këto lidhje përmes dhëndrit të tij. Është shfrytëzuar lidhja shkak-pasojë për të përmbyllur procedurën e njohjes dhe privatizimit me një vlerë qesharake, ndërkohë që në një kohë shumë të shkurtër janë marrë të gjitha lejet për ndërtimin e 17 godinave aty ku ka qenë një klub sportiv”, tha Balla.
Pyetje – Përgjigje në seancë:
Jamarbër Malltezi: Ku punoni?
Taulant Balla: Deputet i Partisë Socialiste.
Malltezi: Sa vite keni në këtë detyrë?
Balla: Që nga 9 shtatori 2005.
Malltezi: Çfarë pozicioni keni pasur kur keni bërë kallëzimin?
Balla: Kryetar i grupit parlamentar të Partisë Socialiste.
Balla: Kallëzimin e kam firmosur si qytetar.
Malltezi: Në kallëzim, ku i keni gjetur të dhënat personale, si numrat e identitetit, etj.?
Balla: I kemi marrë zyrtarisht dhe nga denoncimet e qytetarëve.
Malltezi: Na sqaroni pozicionin tuaj aktual.
Balla: Anëtar i Kuvendit të Shqipërisë.
Malltezi: Keni funksion tjetër?
Balla: Kam funksione politike në Partinë Socialiste.
Malltezi: Në çfarë pozicioni keni qenë kur keni bërë kallëzimin në SPAK?
Balla: Kam qenë sekretar i përgjithshëm i Partisë Socialiste dhe kryetar i grupit parlamentar.
Malltezi: Pra nuk keni firmosur si shtetasi Taulant Balla, por si sekretar dhe kryetar grupi?
Balla: E kam paraqitur kallëzimin si dëshmitar.
Malltezi: Deklarimi i pavërtetë është i dënueshëm. Në kallëzim rezulton ndryshe. A ka qenë iniciativë e grupit parlamentar të PS apo e juaja personale?
Balla: Kam kryer detyrën si përfaqësues i Kuvendit. Kur vihesh në dijeni të një vepre penale, moskallëzimi përbën vepër penale. Deputeti duhet të përfaqësojë interesin kombëtar. Ka qenë një veprimtari e ndërthurur, por iniciativa ka qenë personale, jo vendim i grupit.
Malltezi: A janë dorëzuar të gjitha provat bashkëngjitur kallëzimit?
Balla: Ka qenë një punë hetimore shumëvjeçare. Duke shfrytëzuar ligjin për statusin e deputetit, kam marrë informacion nga institucione të ndryshme dhe ia kam bashkëngjitur kallëzimit.
Malltezi: Si jua kanë dhënë të dhënat personale?
Balla: Jam drejtuar institucioneve dhe çdo gjë që më është vënë në dispozicion ia kam dorëzuar prokurorisë. Një pjesë janë marrë zyrtarisht dhe një pjesë nga denoncimet e qytetarëve.
Jamarbër Malltezi: A ju kanë ngritur shqetësimin për përdorimin e të dhënave private?
Taulant Balla: I jam përgjigjur çdo pyetjeje që ka pasur prokurorja.
Malltezi: Këtë pyetje nuk jua ka bërë.
Balla: Nuk e mbaj mend.
Malltezi: A bazoheni në prova apo në supozime?
Balla: Kallëzimi ngrihet mbi dyshime. Këto dyshime shoqërohen me disa dokumente, të cilat mund t’i quajmë prova, që i janë bashkëngjitur kallëzimit.
Malltezi: Cilat prova konkrete paraqisni dhe në çfarë aspekti korruptiv?
Balla: Nuk ka një vepër më të qartë se kjo; është një aferë e pastër…
Ulliri: Qëndrojini pyetjes.
Balla: Bëhet fjalë për mënyrën se si merret një pronë shtetërore, privatizohet në mënyrë të paligjshme dhe kthehet në përfitim të paligjshëm.
Malltezi: Ju thatë se i keni marrë vetë provat dhe se procedurat janë kryer për 6 muaj, duke qenë se një nga provat ishte dokumenti i kthimit të pronës. Kjo procedurë është zhvilluar nga viti 1996 deri në vitin 2007. A mendoni se ky afat është 6 muaj? Dokumenti është dorëzuar nga dëshmitari me dorën e tij.
Balla: Kemi të bëjmë me një rast kur, në vitin 2007, prona ishte brenda planit të përhapjes. Nga momenti i heqjes nga plani deri në privatizim, procesi është kryer brenda 6 muajve.
Malltezi: Kur është hequr nga plani i përhapjes?
Balla: Nga mediat jam informuar mbi deklaratat e ish-funksionarëve të ushtrisë, të cilët kanë qenë kundër heqjes nga plani i përhapjes.
Malltezi: A e dini çfarë është plani i përhapjes?
Balla: Plani i ushtrisë është plani mbi pronat që i nevojiten ushtrisë.
Malltezi: Pra, e keni marrë vesh nga media dhe nga deklaratat e një gjenerali. Për vërtetësinë, bazoheni te faktet apo te deklaratat? Cila ka peshë më të madhe: dekreti i Presidentit apo deklarata e një gjenerali në media?
(Gjykata): Pyetja nuk pranohet.
Malltezi: Si ka dalë plani i përhapjes, kur është dokument sekret?
Balla: Përderisa është kryer privatizimi, kjo është bërë e njohur. Nuk është hetuar vetëm nga unë, por edhe nga media, e cila ka ngritur dyshime për abuzim në procedurë.
Malltezi: A e keni parë planin e përhapjes?
Balla: Jo.
Malltezi: Ku e bazoni që privatizimi ka filluar në vitin 2008?
Balla: Mbi deklarime publike.
Malltezi: Ku konkretisht e bazoni?
Balla: Nuk kam koment tjetër.
Malltezi: A jeni në dijeni që Pandeli Majko dhe Fatos Klosi janë shprehur për privatizimin e klubit në vitin 2006?
Balla: Jo, nuk kam dijeni.
Malltezi: A jeni në dijeni për shprehjen e interesit në vitin 2006?
Balla: Po.
Malltezi: Atëherë, pse thoni se nuk keni dijeni përpara vitit 2008, kur pranoni se kishit dijeni?
Jamarbër Malltezi: Pyetje për dëshmitarin lidhur me shtetasin M.B.
Taulant Balla: Ç’lidhje ka kjo me çështjen?
(Gjykata): I tërhiqet vëmendja palës pyetëse.
Malltezi: Cilin ligj keni parasysh kur thoni se prona është kthyer në mënyrë të paligjshme?
Balla: Mendoj se prona duhej t’i mbetej ushtrisë. Është shkelur interesi publik dhe, kur ka shkelje të interesit publik, ka edhe shkelje të ligjit.
Malltezi: Cilave akte ligjore i jeni referuar kur keni bërë kallëzimin?
Balla: Kodit Penal dhe legjislacionit në fuqi.
Malltezi: Cilës provë konkrete i referoheni?
Balla: Nuk ka provë më të qartë se akti i vlerësimit të pronës. Dy godina të mëdha në qendër të Tiranës janë vlerësuar rreth 100 mijë euro.
Malltezi: Pse i quani “të vetëquajtur ish-pronarë”?
Balla: Rezulton se shteti italian i ka kompensuar ish-pronarët dhe, në këto kushte, ata nuk janë më pronarë.
Malltezi: Ju thatë se disa familje janë shpronësuar. Nëse rezulton se është shpronësuar një person, p.sh. A.Xh, a është kjo provë që janë shpronësuar edhe të tjerët?
Balla: I takon prokurorisë ta hetojë dhe ta verifikojë këtë rast.
Malltezi: Po fakti që prona i është kthyer M.B brenda një viti?
Balla: Nuk ka lidhje me këtë çështje, zonja gjyqtare.
(Gjykata): Pyetja nuk pranohet.
