Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka deklaruar se nuk ka “pezullim” të marrëveshjes për Ishujt Chagos, pavarësisht se një ministër më herët u tha deputetëve se po “pezullohej” procesi i miratimit të legjislacionit për transferimin e kontrollit të territorit tek Mauritius.
“Nuk ka pezullim, ne kurrë nuk kemi vendosur një afat dhe kohët do të shpallen në mënyrën e zakonshme”, citohet të ketë thënë një burim qeveritar nga BBC.
Ky veprim erdhi pasi presidenti amerikan Donald Trump i bëri thirrje kryeministrit Keir Starmer javën e kaluar që të heqë dorë nga marrëveshja, pavarësisht se më herët kishte shprehur mbështetje për traktatin.
Marrëveshja parashikon që Mbretëria e Bashkuar t’i dorëzojë sovranitetin e territorit Mauritius-it dhe të paguajë një kosto mesatare prej 101 milion paundë në vit për të marrë me qira bazën ushtarake të përbashkët Mbretëri e Bashkuar-SHBA në ishullin më të madh.
Mbretëria e Bashkuar është në procesin e miratimit të legjislacionit për ratifikimin e marrëveshjes dhe të mërkurën, Falconer u përball me pyetje për këtë në Dhomën e Komunave.
“Ka pasur mbështetje nga administrata amerikane për këtë traktat, e cila nuk ka ndryshuar,” tha Falconer.
“Ka pasur qartë një deklaratë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara kohët e fundit, e cila është shumë domethënëse. Dhe siç i thashë Dhomës së Komunave, ne tani po diskutojmë drejtpërdrejt ato shqetësime me Shtetet e Bashkuara. Ne kemi një proces që po kalon në Parlament lidhur me traktatin.
Ne do ta rikthejmë atë në Parlament në kohën e duhur. Ne po pezullojmë për diskutime me homologët tanë amerikanë.”, ishin fjalët e tij.
Më herët, zëdhënësi i kryeministrit u tha gazetarëve se pozicioni i Mbretërisë së Bashkuar nuk kishte ndryshuar dhe se fokusi ishte tek “diskutimet me SHBA-të për hapat e ardhshëm”.
Prokurori i Përgjithshëm i Mauritius-it, Gavin Glover, tha se nuk ishte i befasuar nga komentet e ministrit.
“Nuk ka pasur diskutim mbi procesin legjislativ për tre javët e fundit,” tha Glover. “Vërej se flitet për një pezullim të procesit legjislativ dhe jo për një tërheqje. Jam në kontakt të ngushtë me Zyrën e Jashtme, të Commonwealth-it dhe të Zhvillimit.”
Marrëveshja është vënë në dyshim nga presidenti amerikan Trump, i cili javën e kaluar postoi në platformën e tij Truth Social duke i bërë thirrje Starmer-it që të mos e “japë Diego Garcia-n”, ku ndodhet baza ushtarake e përbashkët amerikano-britanike.
Trump tha: se“ky territor nuk duhet t’i merret Mbretërisë së Bashkuar” dhe e quajti marrëveshjen “një njollë mbi aleatin tonë të madh”.
Komentet erdhën pavarësisht se Departamenti i Shtetit i SHBA-ve kishte dhënë mbështetjen zyrtare për planin e qeverisë britanike një ditë më parë.
Departamenti i Shtetit tha se nuk kishte asgjë për të shtuar, pas komenteve të Falconer-it në Dhomën e Komunave.
Projektligji për Bazën Ushtarake Diego Garcia dhe Territorin Britanik të Oqeanit Indian synon të përfshijë marrëveshjen për Ishujt Chagos në ligjin britanik. Ai është në fazat përfundimtare të kalimit në Parlament dhe aktualisht ndodhet në Dhomën e Lordëve.
Një debat mbi projektligjin u tërhoq në janar pasi Konservatorët, që prej kohësh e kundërshtojnë marrëveshjen, paraqitën një amendament duke kërkuar pezullim “në dritën e rrethanave gjeopolitike që po ndryshojnë”.
Ministri i Zyrës së Jashtme, Stephen Doughty, e mbrojti marrëveshjen dhe akuzoi lordët konservatorë për përdorimin e “trukeve parlamentare” për të “sabotuar” legjislacionin.
Projektligji nuk ka qenë në rendin e ditës në Dhomën e Lordëve që prej asaj kohe dhe nuk është caktuar një datë për fazën e ardhshme./mxh
