Reshjet e dendura të dëborës kanë paralizuar trafikun në Holandë këtë të hënë, më 5 janar, duke shkaktuar vonesa të shumta dhe aksidente në rrugë.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi sa herë që është e mundur, pasi situata ka prekur rëndë transportin ajror dhe hekurudhor. Qindra fluturime janë anuluar, ndërsa qarkullimi i trenave në zonën e Amsterdamit është ndalur pothuajse plotësisht.
Aeroporti i Amsterdam Schiphol, një nga nyjet më të mëdha ajrore në Europë, anuloi rreth 500 fluturime gjatë orëve të para të mëngjesit dhe u mbyll për fluturimet hyrëse deri në orën 12:00 GMT, sipas agjencisë së lajmeve ANP.
Kompania hekurudhore holandeze NS njoftoi se asnjë tren nuk po operonte në rajonin përreth Amsterdamit, ndërsa transporti publik është rëndë i prekur edhe në pjesë të tjera të vendit.
Sipas parashikimeve meteorologjike, reshjet e dëborës pritet të vazhdojnë gjatë gjithë javës në Holandë, duke mbajtur të larta shqetësimet për qarkullimin dhe sigurinë publike./mxh
