Last Updated on 10/09/2026 by Anisa
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka nisur shpalosja e deklaratave përmbyllëse në gjyqin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit – të cilët akuzohen për pengim të drejtësisë.
Vetëm Thaçi është i pranishëm në gjykatore, ndërkaq të akuzuarit e tjerë janë duke e ndjekur seancën përmes video-lidhjes.
Prokurorja e specializuar, Kimberly West, në fjalën përmbyllëse tha se Thaçi dhe të bashkëakuzuarit e tjerë për muaj të tërë tentuan të ndikonin në dëshmitë e dëshmitarëve për rastin gjyqësor për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
“Bashkë me bashkëpunëtorët e tij në këtë proces ai tentoi ta pengonte këtë proces duke ndërhyrë në dëshmitë e këtyre dëshmitarëve dhe u kap. U kap me shumë orë incizime dhe dokumente që konfirmojnë incizimet në fjalë”, tha ajo.
West i cilësoi të bashkakuzuarit e tjerë të Thaçit, si bashkëpunëtorë të tij, shokë të devotshëm, lojaistë, dhe ish-vartës, të cilët, sipas saj, Thaçi i udhëzoi “që të shënjestronin dëshmitarët, dëshmia e të cilët, sipas tij, ishin vendimtare për procesin për krime lufte”.
West pretendoi se udhëzimet ishin të ndryshme, nga kërkesa për ndryshimin e dëshmive, apo që Thaçi të vihej apo të mos vihej në ndonjë vend ku pretendohet se janë kryer krime.
Sipas saj, duke krijuar grupe të vogla, Thaçi udhëzoi të bashkëakuzuarit se si dëshmitë e dëshmitarëve t’i përshtateshin “narrativit të tij”.
Prokurorja tha se dëshmitë u printuan në qendrën e paraburgimit dhe u diskutuan gjatë vizitave po në këtë qendër.
Ajo po ashtu pretendoi se Thaçi kishte biseduar me të akuzuarit e tjerë edhe për hierarkinë e UÇK-së dhe si dëshmitarët, me dëshminë e tyre, siç tha ajo, të zbehnin rolin komandues të tij.
Mbrojtja dhe prokurorët do t’i kenë tri ditë kohë për t’i dhënë argumentet e tyre përmbyllëse në këtë rast që ndërlidhet me çështjen gjyqësore kundër Thaçit dhe tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.
Prokuroria ka kërkuar tri orë për fjalën e saj përmbyllëse.
Dy ditë pas përfundimit të deklaratave përmbyllëse, Thaçi së bashku me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin do të dalin para trupit gjykues për t’u përballur me aktgjykimin për krime lufte gjatë luftës së viteve 1998-‘99 në Kosovë. Për secilin nga ta, Prokuroria ka kërkuar 45 vjet burgim. Të katërtit i kanë mohuar të gjitha akuzat./ad
