Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka bërë një tjetër denoncim. Këtë herë për gjendjen e një tjetër shkolle në fshatin Mizë.
Sipas Korreshit, godina vazhdon të jetë në kushte të këqija, pavarësisht premtimeve për rikonstruksion.
Sipas tij, banorët e zonës kishin protestuar rreth katër vite më parë për përmirësimin e shkollës, por situata nuk ka ndryshuar dhe objekti arsimor mbetet i degraduar.
Korreshi deklaroi se, për shkak të mungesës së kushteve, nxënësit detyrohen të ndjekin mësimin në fshatrat Kryekuq dhe Divjakë, duke rritur kostot dhe kohën e udhëtimit për familjet.
Ai shtoi gjithashtu se në disa raste shkolla figuron si funksionale në dokumente apo rrjete sociale, por në praktikë nuk është në përdorim, duke ngritur pikëpyetje mbi gjendjen reale të saj.
“Shkolla Mizë, ky premtim i madh Qivirritar vazhdon të jetë në kushte mizerabel.
Familjet dhe fëmijët 4 vite më parë protestuan se donin shkollen e tyre sa më shpejtë, por edhe pas 4 vitesh ju ftoj të shikoni degradimin që ka kjo shkollë.
Fëmijët shkojnë në fshatrat ngjitur Kryekuq dhe në Divjakë duke u shtuar kosto familjeve, por edhe kohë.
Nderkohë që po të shohim në rrjete sociale, konkretisht ne Facebook, kjo shkollë rezulton të jetë efektive në letra, por nuk dimë ku e ka selinë”, denoncon Korreshi./Kb
