Departamenti i Drejtësisë i SHBA-ve ka refuzuar të publikojë materiale shtesë nga dosjet e çështjes së Jeffrey Epstein, pavarësisht urdhrit të një gjykatësi federal. Sipas tij, një pjesë e madhe e dokumenteve përmban të dhëna sensitive për viktimat, ndërsa në raste të tjera redaktimet janë bërë në përputhje me ligjin në fuqi.
Sipas ABC, pak para afatit të vendosur nga gjykata për publikimin e dokumenteve ose shpjegimet për mbajtjen e tyre sekret, zëvendësprokurori i përgjithshëm i SHBA-ve, Stanley Woodward, i kërkoi gjykatës një shtyrje prej 60 ditësh ose pranimin e argumenteve të qeverisë për të mos kërkuar publikim të mëtejshëm.
Departamenti thekson se nuk pajtohet me interpretimin e gjykatës mbi ligjin ‘Epstein Files Transparency Act’, por kërkon të sqarojë pse disa dokumente mbeten të klasifikuara.
Autoritetet thonë se janë publikuar rreth 3.5 milionë faqe dokumente, por shumë prej tyre me redaktime të shumta, ndërsa rreth 2.5 milionë faqe të tjera nuk janë bërë kurrë publike.
Sipas Departamentit të Drejtësisë, redaktimet në email-e dhe dokumente janë bërë për të mbrojtur viktimat, jo palë të treta, ndërsa disa materiale janë hequr për të shmangur keqinterpretim apo dëmtim emocional të tyre.
Po ashtu, qeveria propozon që dokumentet e mbetura të shqyrtohen vetëm nga gjykatësi me dyer të mbyllura.
Në një pjesë të dosjes përmenden edhe shënime të FBI-së lidhur me akuza për sulm seksual ndaj Donald Trump, të cilat nuk janë publikuar plotësisht. Sipas Departamentit, ato nuk janë bërë publike pasi nuk shtojnë informacion të ri dhe mund të rrezikojnë identitetin e viktimave.
Departamenti i Drejtësisë kundërshton gjithashtu akuzat se ka shkelur ligjin për publikimin e dosjeve Epstein, duke këmbëngulur se të gjitha veprimet janë bërë brenda kuadrit ligjor dhe për mbrojtjen e viktimave./mxh
