Në qendër të Panairit të 28 të Librit trilogjia e depresionit shqiptar
Në një kohë kur fjala shpesh humbet peshë nën rrjedhën e informacionit të çastit, Leonard Veizi mbetet ndër ata autorë që i rikthejnë shkrimit dimensionin e tij të vërtetë: si akt ndërgjegjeje, si formë rebelimi dhe si përpjekje e pandërprerë për të kuptuar njeriun në përplasjen me vetveten dhe me realitetin.
Në Panairin e 28-të të Librit, që po zhvillohet në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, shkrimtari dhe publicisti Leonard Veizi ishte i pranishëm pranë stendës së shtëpisë botuese “M&B” për të takuar lexuesit e tij dhe për të prezantuar botimin më të ri, “Depresioni i Bardhë”. Ky vëllim, pjesë e trilogjisë ku përfshihen “Depresioni Blu” dhe “Depresioni Kuq e Zi”, vjen si një ndërthurje e publicistikës me reflektimin filozofik, introspeksionin psikologjik dhe nuanca letrare, duke sjellë një tablo të gjerë të gjendjes shpirtërore dhe mendore të njeriut bashkëkohor. Libri përfshin përsiatje, shënime analitike dhe intervista me personalitete të njohura të artit e kulturës, duke krijuar një mozaik të thellë të mendimit shqiptar të kohës.
Me këtë botim, që shënon veprën e tij të katërmbëdhjetë, Veizi dëshmon edhe një herë përkushtimin ndaj fjalës së shkruar dhe dialogut të vazhdueshëm me publikun.
Panairi i Librit në Tiranë mbetet një ndër ngjarjet më të rëndësishme kulturore të vendit, një hapësirë ku takohen autorë, botues, studiues e lexues, duke krijuar një atmosferë të gjallë të shkëmbimit të ideve dhe të festimit të letërsisë shqipe.
Universi letrar i Leonard Veizit
Në letërsi, Leonard Veizi ka ndërtuar një botë të vetën — një univers ku rrëfimi merr shpesh ngjyrat e errëta të trillerit psikologjik dhe ndërthuret me dritën e mendimit filozofik. Personazhet e tij, të brishtë por të trazuar, lëvizin brenda labirinteve të fajit, dilemave morale dhe zhgënjimit shoqëror. Në prozën e tij, lexuesi përballet me një pasqyrë të thyer ku realiteti shqiptar takon dilemat universale të njeriut modern.
Si gazetar dhe publicist, Veizi është një nga zërat më të spikatur të publicistikës bashkëkohore. Ai dallon për stilin kritik, ironinë e hollë dhe qartësinë analitike, si dhe për aftësinë për të zbërthyer prapaskenat e ngjarjeve me një gjuhë elegante dhe të ngjeshur. Shkrimet e tij, që shpesh shkojnë nga politika dhe qytetaria te kultura, psikologjia dhe historia, i japin lexuesit një këndvështrim të thellë dhe origjinal mbi realitetin e sotëm.
Krijimtaria letraro-artistike
Vepra e tij përfshin romane, novela dhe tregime që kanë shënuar një rrugëtim të qëndrueshëm krijues: nga “Grahma e shpirtit të mjegullt” (1997), “Ngrehina e përhumbjes” (1998), Treni i fundit i metrosë (tregime, 2005) dhe “I dënuar me vdekjen (tregime, 2006) te romanet e mëvonshme si “Surpriza e natës së fundit” (roman, 2008) “Rrëfimi” (roman, 2009), “I çmenduri i pavijonit 3” (2012), “Orgji në famullinë e at Ludovikut” (roman, 2013) “Lora” (2015) apo “Rrënimi” (2018), ku tema e korrupsionit dhe zbrazëtisë morale merr trajtë njerëzore e tronditëse. Në veprën e tij të fundit, Ted B (2023), Veizi ndërthur frikën, krimin dhe nënvetëdijen në një narrativë që shkon përtej kufijve të prozës shqiptare.
Veprat e Leonard Veizit janë përfshirë gjithashtu në fondet e Bibliotekës së Kongresit Amerikan në Washington D.C., çka e vendos krijimtarinë e tij në një kontekst më të gjerë kulturor dhe dokumentar.
Me stilet e tij të shumëllojshme — nga trilleri psikologjik te eseja filozofike, nga publicistika kritike te romani social — Leonard Veizi mbetet një autor që e sfidon lexuesin, duke e rikthyer shkrimin aty ku i takon: në qendër të reflektimit, shpirtit dhe debatit shoqëror. Panairi i këtij viti e dëshmoi edhe një herë këtë marrëdhënie të gjallë mes tij dhe publikut që e ndjek në çdo libër të ri.
