Last Updated on 21/04/2026 by Anisa
Në përfundim të protestës së 17 prillit, ku u lënduan disa deputetë dhe u shoqëruan 11 protestues në komisariat, kreu demokrat Sali Berisha deklaroi se përgjigja e qytetarëve ndaj policisë në protestën e radhës do të jetë proporcionale. I pyetur në lidhje me këto deklarata, në Off the Recod me Andrea Dangllin në A2 CNN, deputeti Luan Baçi la të kuptohet se protesta e radhës mund të përshkallëzohet deri në përplasje civile.
“Në protestë nuk vete njeri për të kënduar, as për të kërcyer. Nuk e di se ku mund të shkojë. Më vjen keq po nuk është përgjegjësi e qytetarëve se ku mund të shkojë”, u përgjigj ai kur u pyet nëse mund të shkohet deri në një përplasjeje civile.
Sipas tij, revolta qytetare është në një nivel të lartë dhe protesta është në dorë të tyre, ndërsa policia sipas Baçit duhet të garantojë rendin dhe qetësinë dhe jo të mbrojë godinën e kryeministrit.
“Qytetarët janë ata që vendosin dhe Partia Demokratike që organizon dhe drejton protestën në krah të tyre, në ballë të tyre, shpesh herë luan rolin vetëm të qetësimit të situatës, të qetësimit të protestuesve. Kanë revoltë, kanë zemërim se janë fermerë që janë drejt falimentit, janë studentë që s’kanë kushtet e duhura për të vazhduar studimet, janë biznes i vogël që janë drejt falimentit nga taksat, janë të papunë, janë të prindër që u kanë ikur fëmijët jashtë. Pra revolta e tyre është në shkallën më të lartë. Atëherë revoltën e tyre nuk ka pse ta ndalojë Partia Demokratike as deputetë e Partisë Demokratike, por t’i bashkohen kësaj revolte dhe nuk ka nevojë pastaj që të themi ne se çfarë do të bëhet në protestë. Unë nuk e di se çfarë mund të bëhet në protestë. Është në dorë qytetarëve. Pushtetin e kanë qytetarët, protestuesit. Policia ka detyrimin të garantojë rendin, qetësinë, të garantojë qytetarët, protestuesit. Policia nuk është aty për të mbrojtur godinën e kryeministrit se nuk e gjen gjë fare se kryeministri ikën, por është për të mbrojtur qytetarët që protestojnë. Ata qytetarë që protestojnë aty janë taksapagues që paguajnë edhe pagat dhe shpërblimet e policisë që i marrin të bollshme si duket drejtuesit në rastin e protestave”, tha ai në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Duke sjellë në vëmendje protestën e fundit të opozitës, ai akuzoi policinë për përdorimin e dhunës ndaj qytetarëve, e cila sipas Baçit bëhet me qëllim për të ngjallur frikën. Në këto kushte ai përforcon idenë e kryedemokratit për përgjigje proporcionale ndaj forcave të rendit.
“Sa më ashpër të sillen, sa më shumë të arrestojnë, të kenë statistika bllokimi nëpër komisariate dhe i mbajnë deri në orën 2:00 apo tre të natës. Në protestën e radhës deri në orën 2:00 të natës dy protestues që kishin kapur në rrugë që s’kishin lidhje fare dhe i lëshuan, i liruan që atë ditë që vajtëm ne në orën 2: të natës. Po përse i mban deri në orën 2:00 të natës brenda ata protestues dhe i merr në rrugë për t’i verifikuar? Shtet policor. Patjetër për të ngjallur frikën, patjetër për mos të marrë më pjesë në protestë, patjetër shantazh dhe presion, patjetër të tremben prindërit, të tremben dhe komshinjtë, të frikësohen edhe të tjerët se të mbajnë edhe brenda një ditë, dy, tre, siç kanë mbajtur këta protestues sot dhe do pritet se kur do dalin në mënyrë të paimagjinueshme mund t’i mbash brenda atje dhe t’i akuzosh për gjëra që nuk i kanë kryer. Pra, parë në këtë këndvështrim unë mendoj se patjetër që përgjigja e qytetarëve duhet të jetë në proporcion të drejtë me atë çfarë bën policia, që janë pjesë dërmuese patronazhistë”.
