Last Updated on 06/03/2026 by Anisa
Albana Vokshi deputetja e Partisë Demokratike ka reaguar këtë të premte gjatë zhvillimit të punës në Komisionin e Jashtëm në Kuvendin e Shqipërisë lidhur me deklaratën e kreut të Grupit të PS-së Taulant Balla. Vokshi ka thënë se falenderon kolegët për mbështetjen dhe nga ana tjetër shprehet se sipas saj nuk është ndjerë mirë që nuk ka marrë mbështetje nga gratë e mazhorancës në Kuvend.
Albana Vokshi: Falënderoj kolegët që u bashkuan në një mendim që dhuna psikologjike institucionale nuk ka vend në Parlament. Nuk jam ndjerë e fyer nga ajo që u tha dje, sepse njerëz me veprime si të tijat e turpërojnë Parlamentin. Por jam ndjerë e lënduar për mënyrën sesi kryetari i Kuvendit e menaxhoi situatën. E menaxhoi në mënyrë të turpshme dhe nga ana e grave deputete të PS për gjuhën seksiste që u përdor nga kryetari i grupit tuaj parlamentar.
Nuk di se cila prej çështjeve që fola unë e preku kryetarin e grupit tuaj. Unë kam bindjen se shënjestrimi ishte politik, nuk ishte i rastësishëm. Po tentojnë të godasin opozitën dhe gratë deputete të opozitës. Këdo që ngre zërin. E kam vuajtur në lëkurë edhe fyerjen e Edi Ramës. Partia juaj ka pushkatuar gratë. Unë nuk pres ndjesë, të mos tallemi… ndjesë mashtrim që as unë, asnjë nga ne, nuk e hamë dot. Të kalojmë te dhuna që ushtron partia juaj ndaj grave. Më kanë kërcënuar dhe shantazhuar. Më kanë kërcënuar mua dhe vajzën time. Më kanë përjashtuar 3 muaj duke më hequr të drejtën e fjalës.
Debati për numrin “0900” nisi gjatë seancës plenare të Kuvendit, ku pati përplasje të forta mes mazhorancës dhe opozitës. Teksa fliste nga foltorja për çështjen e integrimit, Taulant Balla iu përgjigj ndërhyrjeve të opozitës nga vendi duke përdorur ironi me “numra telefoni”.
“Realisht nuk kishim një numër telefoni tuajin që t’ju merrnim në telefon dhe t’ju pyesnim si duhet bërë. Për ty Albana kemi numrin 0900”, u shpreh ai.
Deklarata u pasua menjëherë nga reagime të ashpra në sallë. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, kërkoi ndërprerjen e seancës dhe përdori një gjuhë të ashpër ndaj Ballës, çka e përshkallëzoi më tej debatin mes deputetëve. Situata e tensionuar bëri që seanca të ndërpritej.
Pas polemikave, Balla deklaroi se përdorimi i numrit “0900” nuk kishte qenë në kontekst fyes ndaj deputetes Albana Vokshi. Ai tha se i referohej një numri informacioni për Bashkimin Evropian dhe shtoi se, nëse deklarata e tij është perceptuar si ofenduese, kërkon ndjesë.
Ndërkohë edhe Balla ka reaguar sot në rrjetet sociale përmes një foto-mesazhi./fjala.al-A.D
