Last Updated on 18/12/2025 by EL
Ish-presidenti Ilir Meta, i paraburgosur prej 21 tetorit 2024, ka dëshmuar sot në SPAK për çështjen e “21 Janarit”, në cilësinë e personit që kishte dijeni për rrethanat, pasi në atë kohë ishte një zv/kryeministër i dorëhequr i qeverisë “Berisha”.
Avokati i tij, Kujtim Cakrani, ka bërë sot me dije disa nga detajet e rrëfimit të kreut të Partisë së Lirisë para oficerëve të BKH-së.
Sipas avokatit, Meta ka deklaruar se “para demonstratës së 21 janarit është vënë në dijeni nga shërbime të huaja në vend, në rrugë konfidenciale, se protesta do të ishte e dhunshme, se do të kishte përplasje dhe se nuk përjashtohej as skenari i vrasjeve”.
Cakrani shtoi se këto informacione, shërbimet ia kanë vënë në dispozicion edhe kryeministrit të kohës dhe presidentit.
Ish-kreu i shtetit është pyetur nga hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit qe ishin caktuar nga prokurori i dosjes Alfred Shehu.
Ka qenë vetëm Meta, i cili javë më parë kërkoi të dëshmonte në lidhje me “21 janarin”, si person ne dijeni dhe mund te jepte informacion te vlefshëm mbi ngjarjen.
“Unë, Ilir Rexhep Metaj, duke qenë se kam dijeni dhe mund të jap dëshmi të vlefshme për rrethanat e asaj ngjarjeje, dëshmi të cilat nuk janë të njohura nga organi procedues dhe që mund t’i shërbejnë zbardhjes së ngjarjes, jam në dispozicion të organit të procedurës në çdo moment që ajo do jetë e gatshme!”, thuhet ndër të tjera në shkresën që Meta kishte dërguar në SPAK.
Prej më shumë se 1 viti ish-Presidenti i Republikës ndodhet në paraburgim, teksa përballet me disa akuza të ngritura nga ana e SPAK.
Më herët për demonstratën e 21 janarit 2011 janë pyetur nga SPAK emra si Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Bamir Topi.
Gjatë protestës së 21 janarit pati 4 protestues të vrarë të ish-opozitës socialiste të kohës nga Garda e Republikës pasi tentuan të çanin rrethimin e Kryeministrisë, para Bulevardit, dhe disa të plagosur./e.t
