Votuesit italianë kanë refuzuar ndryshimet e propozuara nga kryeministrja, Giorgia Meloni, për ndryshimet në drejtësi, duke i dhënë një goditje politike asaj dhe qeverisë së saj. Sipas exit polleve të publikuara të hënën, rreth 54% e qytetarëve votuan “jo” ndaj ndryshimeve, ndërsa 46% mbështetën propozimet. Meloni pranoi humbjen dhe deklaroi se vendimi i popullit duhet respektuar.
“Kemi për të vazhduar si gjithmonë, me përgjegjësi, vendosmëri dhe respekt për Italinë”, shkroi Meloni në rrjetet sociale, duke shtuar se ndjen keqardhje për një mundësi të humbur për të modernizuar vendin. Pjesëmarrja në votime arriti në rreth 59%, shumë më e lartë se pritshmëritë, duke treguar se italianët i dëgjuan thirrjet e opozitës për të mbrojtur drejtësinë.
Profesori Lorenzo Castellani vlerësoi se humbja e referendumit e ka dobësuar Melonin, megjithatë ajo ishte e përgatitur për këtë rezultat. Komentuesi politik Ernesto Di Giovanni theksoi se rezultati mund të interpretohet si një shenjë pakënaqësie ndaj qeverisë, duke pasur parasysh zgjedhjet parlamentare të ardhshme.
Sipas projeksioneve të transmetuesit publik Rai, votat kundër ndryshimeve në drejtësi (“Jo”) kryesuan me 53.6%, ndërsa mbështetësit (“Po”) mbetën pas me 46.4%, duke konfirmuar një humbje të ngushtë për qeverinë. Rezultati shkaktoi reagime të forta në skenën politike italiane.
Ish-kryeministri Matteo Renzi, i cili kishte dhënë dorëheqjen pas humbjes në referendumin kushtetues të vitit 2016, deklaroi se “kur populli flet, qeveria duhet të dëgjojë,” duke paralajmëruar se mesazhi nga votuesit nuk duhet injoruar, por sqaroi se nuk po kërkonte dorëheqjen e menjëhershme të Melonit.
Nga ana tjetër, lideri i Lëvizja Pesë Yjet, Giuseppe Conte, e përshëndeti rezultatin si një fitore për kushtetutën dhe demokracinë, duke deklaruar publikisht: “Ia dolëm, rroftë kushtetuta!”
Raportimet nga mediat italiane tregojnë se priten protesta në qytete të mëdha si Roma, Milano, Napoli, Torino dhe Bolonja, ku qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Melonit, megjithëse kryeministrja ka përjashtuar mundësinë e largimit nga detyra. Analistët politikë theksojnë se kjo humbje dobëson ndjeshëm pozicionin e Melonit në politikën e brendshme, në një kohë kur Italia përballet me sfida ekonomike dhe presione ndërkombëtare.
Midis faktorëve që mund të kenë ndikuar në rezultatin e votimit përmenden pakënaqësia ndaj aleancave ndërkombëtare dhe shqetësimet për rritjen e kostove të energjisë, veçanërisht në sfondin e tensioneve globale. Fitorja në referendum do t’i kishte dhënë Melonit një mandat më të fortë për të vazhduar me reforma të tjera kushtetuese, por refuzimi nga votuesit jo vetëm që e ndalon këtë rrugë, por gjithashtu mund të dobësojë ndikimin e saj në arenën evropiane, ku deri tani është konsideruar si një lidere e fortë.
Edhe pse partitë e koalicionit qeverisës – përfshirë Fratelli d’Italia, Lega dhe Forza Italia – mbështetën fuqishëm ndryshimet në drejtësi, opozita arriti të mobilizojë elektoratin e saj në mënyrë të koordinuar, duke siguruar një shumicë të qartë kundër ndryshimeve të propozuara./mxh
