Last Updated on 02/12/2025 by Kesjana
Raketa balistike ndërkontinentale ruse e pagëzuar si ‘Satan II’ ka dështuar përsëri në testim, duke shpërthyer pasi është rrëzuar përsëri në Tokë. Raketa Sarmat RS-28, një armë hipersonike e aftë të mbajë koka bërthamore dhe që në Rusi paraqitet si ‘më vdekjeprurësja në botë’, u lançua nga poligoni Yasni në rajonin e Orenburgut.
Pak sekonda pas ngritjes, raketa doli nga kursi, duke lënë pas re tymi të zeza, përpara se të përplasej e të shpërthente jo shumë larg rampës. Kjo nuk është hera e parë që një testim i raketës ruse ka përfunduar me një shpërthim, pasi një përpjekje e mëparshme në shtator 2024 në Kozmodromin Plesetsk, në veri të Moskës, la një krater të madh në vendin e lëshimit.
Pavarësisht pengesave, Vladimir Putin shprehu besim disa javë më parë se Sarmat do të jetë gati për përdorim operacional vitin e ardhshëm.
“Këtë vit do të kryejmë teste luftarake dhe vitin tjetër do ta vëmë në shërbim”, tha shefi i Kremlinit.
Raketa 35 metra e gjatë, që peshon më shumë se 200 ton dhe arrin një rreze veprimi prej rreth 18,000 kilometrash, është projektuar për të mbajtur koka bërthamore të shumëfishta që synojnë objektiva në SHBA dhe Evropë. Anëtari i Këshillit të Sigurisë rus, Vyacheslav Volodin, më parë pretendoi se ajo mund të godiste ndërtesën e Parlamentit Evropian në Strasburg në më pak se katër minuta./kb
