Last Updated on 02/12/2025 by EL
Tre persona, mes tyre Federica Mogherini — ish-Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe aktualisht rektore e Kolegjit të Evropës — u arrestuan në Belgjikë si pjesë e një hetimi për dyshime mbi shkelje të rënda në prokurimet publike të financuara nga BE-ja.
Sipas mediave belge dhe konfirmimeve të Zyrës së Prokurorit Publik Evropian (EPPO), hetimi lidhet me dhënien e një programi nëntëmujor trajnimi për diplomatët e rinj të BE-së, projekt i cili financohej nga Shërbimi Europian për Veprim të Jashtëm (EEAS) dhe që iu dha Kolegjit të Evropës, institucion me seli në Bruges.
Në qendër të akuzave
Hetuesit dyshojnë se përfaqësues të Kolegjit janë informuar paraprakisht për kriteret e tenderit, duke krijuar avantazh të padrejtë në proces. Dyshohet për shkelje që përfshijnë:
-
mashtrim në prokurimin publik,
-
korrupsion,
-
konflikt interesi,
-
shkelje të sekretit profesional,
-
si dhe shkelje të rregullave belge për konkurrencë të ndershme.
Pretendimet lidhen me fakte të periudhës 2021–2022.
Arrestime dhe bastisje
Përveç Mogherinit, u arrestua edhe Stefano Sannino, diplomat italian dhe ish-Sekretar i Përgjithshëm i EEAS, si dhe një menaxher i Kolegjit të Evropës. Para arrestimeve, autoritetet belge siguruan heqjen e imunitetit diplomatik.
Policia kreu kontrolle në zyrat e EEAS në Bruksel, në ndërtesat e Kolegjit të Evropës në Bruges dhe në banesat private të të dyshuarve.
BE: Nuk komentojmë hetimin
Komisioni Evropian deklaroi se nuk do të komentojë për sa kohë që hetimi është në zhvillim. Burime të BE-së thanë se çështja nuk lidhet me aktivitetet e kryera pas vitit 2024, kur detyrën e Përfaqësueses së Lartë e mori Kaja Kallas.
Hetimi i EPPO-s po vazhdon, ndërsa priten zhvillime të tjera në ditët në vijim./E.Z
