Vepra e artistit të ndjerë afrikano-jugor Dumile Feni është pjesë e serisë së re “Historia nuk përsëritet, por rimon”
Sam Jones/ nga Madridi
Në katin e dytë të muzeut Reina Sofía, pikërisht në vendin ku “Guernika” e Picassos u ekspozua për herë të parë kur mbërriti në Madrid 34 vite më parë, tani varet një vepër më e vogël, pothuajse me të njëjtin emër, e krijuar nga artisti spanjoll.
Ndërsa “Guernika afrikane”, e vizatuar nga artisti i ndjerë afrikano-jugor Dumile Feni në vitin 1967, mund të mos ketë përmasat e kryeveprës së Picassos, thellësia e saj, zemërimi dhe kontrastet tronditëse mes njeriut dhe kafshës, dritës dhe errësirës, pafajësisë dhe mizorisë, janë po aq shqetësuese.
Në sipërfaqen e letrës tashmë të zverdhur, shfaqet një burrë me tre këmbë dhe me një maskë groteske në vend të fytyrës që mban një shkop; një lopë me gjirin e fryrë ushqen një foshnjë; ndërsa zogjtë çukasin mbeturinat, dhe figura të errëta shfaqen në sfond.
Ndërsa zemërimi i piktorit spanjoll buronte nga bombardimi nazist i qytetit bask që i dha emrin pikturës së tij, revolta e Fenit – e realizuar me qymyr dhe laps – ishte produkt i jetës nën regjimin e aparteidit në Afrikën e Jugut.
Vizatimi është pjesa qendrore e një serie të re ekspozitash vjetore në muze, të titulluar “Historia nuk përsëritet, por rimon”. Qëllimi, sipas drejtorit të Reina Sofía-s, Manuel Segade, është “të marrim vepra nga kontekste të ndryshme kulturore dhe gjeografike dhe t’i vendosim përkrah Guernikës” – ndaj edhe “Guernika afrikane” ka vendin e nderit përballë kanavacës së Picassos. Përveçse ofron lexime të reja të veprës së famshme të muzeut, kjo nismë synon gjithashtu të korrigjojë paragjykimet e vjetra.
“Ashtu si arti perëndimor ka lënë mënjanë gratë në historinë e artit, po ashtu kjo histori është ndërtuar mbi parametra raciste që e kanë dënuar artin afrikan si artizanat ose si diçka të egër,” tha ai.
“Guernika afrikane”, e cila nuk ishte ekspozuar kurrë më parë jashtë Afrikës së Jugut dhe është huazuar nga Universiteti i Fort Hare, ofron një pikënisje të fuqishme.
Feni, i cili vdiq në Nju Jork në vitin 1991 pas gati një çerek shekulli në mërgim, nuk kishte arsim formal artistik, por që nga fëmijëria ishte i dhënë pas vizatimit dhe i magjepsur nga arti indigjen afrikan, nga pikturat në shkëmbinj te krijimi i maskave.
Kur u zhvendos në Johanesburg në fund të adoleshencës, ai zbuloi një skenë kulturore urbane të gjallë që lulëzonte pavarësisht regjimit brutal dhe racist të aparteidit. Aty ai u njoh edhe me veprat e artistëve evropianë si Goya dhe Bosch – si dhe me ato të Picassos, i cili ishte thellësisht i ndikuar nga arti afrikan.
“Është e rëndësishme të kujtojmë se ‘Guernika’ e Picassos nuk do të kishte ekzistuar pa skulpturën afrikane,” tha Tamar Garb, profesoreshë arti në University College London dhe kuratore e ekspozitës.
“Stilizimi dhe thjeshtimi që Picasso shpiku në fillim të shekullit XX, përmes kubizmit, ishte shumë i lidhur me vlerësimin e praktikave skulpturore afrikane, të cilat ai i koleksiononte dhe i njihte mirë.”
Megjithëse mund të duket si një rreth vicioz që një artist afrikan përdor modernizmin evropian për të ripërcaktuar lidhjen e tij me artin afrikan, Garb thekson se ekspozita synon dialogun dhe jo ndikimin.
“Ne as nuk e dimë nëse ishte vetë Feni që i dha veprës emrin ‘Guernika afrikane’,” tha ajo. “Me gjasë, emri iu dha nga një galerist apo një komentues i hershëm. Por fakti është se ai e pranoi dhe e përdori atë.”
Megjithatë, sipas saj, do të ishte gabim të mendohej se të dyja “Guernikat” trajtojnë të njëjtën temë. Ajo e Picassos është një thirrje kundër luftës, ndërsa ajo e Fenit është një reagim ndaj një forme tjetër dhune:
“Është dhuna – dhuna e ngadaltë dhe dhuna reale – e tiranisë raciste. Është produkt i një shoqërie shumë të dhunshme që çnjerëzon shumicën e popullsisë së saj. Nuk është e njëjtë me bombardimet e luftës, dhe kjo diferencë është e rëndësishme.”
Në ekspozitë paraqiten edhe pesë vepra të tjera të Fenit, përfshirë rrotullën 53 metra të gjatë me titull “Nuk do ta njihje Zotin edhe sikur të të pështynte në sy”, të cilën ai e realizoi gjatë viteve në Londër. Përballë saj ndodhet vizatimi i madh me qymyr i vitit 1987, “Hector Pieterson”, një interpretim i stilizuar dhe tronditës i fotografisë së famshme të një djali 13-vjeçar të vrarë nga policia e aparteidit në Afrikën e Jugut.
Pavarësisht lidhjeve me kozmologjitë tradicionale afrikane, krahasimeve të pashmangshme me Picasson dhe faktit që Feni njihej në Johanesburgun e viteve ’60 si “Goya i lagjeve të varfra”, Garb argumenton se artisti zë një vend unik në artin e shekullit XX.
“Ky është një artist modern që përdor materiale vizatimi – qymyr, laps dhe conté – në një shkallë pothuajse të padëgjuar globalisht në atë kohë,” tha ajo. “Nëse shikon praktikat e vizatimit në vitet ’60, janë shumë të paktë artistët – vështirë të gjesh ndonjë – që punojnë në një përmasë kaq epike dhe monumentale.”
Përgatiti për botim: L.Veizi
