Shqipëria do të luajë mbrëmjen e kësaj të shtune ndeshjen e dytë dhe të fundit miqësore të këtij grumbullimi ndaj Luksemburgut në stadiumin “Air Albania”.
Skuadra e drejtuar nga Rolando Maran vjen në këtë takim pas humbjes minimale 1-0 ndaj Izraelit. Ajo sfidë shënoi edhe debutimin e teknikut italian në stolin e Kombëtares, ndërsa tashmë objektivi është të shihet reagimi i skuadrës dhe të vlerësohen alternativat që mund të përdoren në ndeshjet zyrtare.
Gjatë ditëve të fundit, stafi teknik ka punuar me grupin në aspektin fizik dhe taktik. Seancat stërvitore janë fokusuar te organizimi i lojës, lëvizjet pa top dhe skemat që mund të aplikohen gjatë ndeshjes ndaj Luksemburgut. Për Maranin, kjo përballje përfaqëson një mundësi të mirë për të parë nga afër gjendjen e futbollistëve dhe për të krijuar një ide më të qartë mbi formacionin që do të përdoret në të ardhmen.
Sa i përket formacionit, në portë pritet të konfirmohet Alen Sherri. Gardiani kuqezi zhvilloi një paraqitje të mirë në ndeshjen ndaj Izraelit dhe duket favorit për të nisur sërish nga minuta e parë.
Në repartin mbrojtës nuk priten shumë ndryshime. Elseid Hysaj pritet të jetë titullar në krahun e djathtë dhe njëkohësisht do të mbajë shiritin e kapitenit. Për mbrojtësin e Kombëtares kjo do të jetë një ndeshje e veçantë, pasi do të regjistrojë paraqitjen e 100-të me fanellën kuqezi. Në krahun e majtë pritet të luajë Mario Mitaj, ndërsa në qendër të mbrojtjes pritet të aktivizohen Arlind Ajeti dhe Klisman Cake.
Miqësorja me Luksemburgun, si pritet formacioni i Shqipërisë
Edhe mesfusha duket se ka marrë formë. Në skemën 4-3-1-2 të menduar nga stafi teknik, Kristjan Asllani pritet të ketë rolin e organizatorit të lojës, ndërsa përkrah tij mund të aktivizohen Ylber Ramadani dhe Juljan Shehu. Ky repart konsiderohet një nga pikat ku trajneri kërkon të testojë më shumë alternativa dhe kombinime për ndeshjet e ardhshme.
Në fazën sulmuese, Luis Hasa është projektuar si futbollisti që do të veprojë pas dy sulmuesve. Mesfushori ofensiv pritet të ketë detyrën e lidhjes së lojës mes repartit të mesit dhe sulmit, duke mbështetur dy lojtarët e avancuar. Në vijën e parë, Arbër Hoxha dhe Myrto Uzuni shihen si zgjedhjet kryesore për këtë takim.
Kjo sfidë përfaqëson një provë të rëndësishme për Kombëtaren shqiptare. Përtej rezultatit, fokusi kryesor mbetet konsolidimi i grupit, testimi i skemave taktike dhe përgatitja sa më e mirë për ndeshjet zyrtare të muajve në vijim./mxh
