Në pallatin e dëmtuar nga zjarri në Tiranë, këtë të shtunë po vijon procesi i verifikimit të dëmeve nga grupet e ekspertizës, të cilat kanë nisur punën në terren pas deklarimeve të bëra një ditë më parë nga zv.kryeministrja Albana Koçiu.
Në inspektim janë përfshirë grupe nga OSHEE, ujësjellësi dhe kompania private e sigurimit të objektit. Sipas të dhënave, në shkallën 5 të ndërtesës, ku janë konstatuar dëmet më të mëdha, po kryhen kontrollet më të detajuara, ndërsa në shkallën 4 po verifikohet gjendja e rrjetit elektrik dhe dëmet nga tymi.
Autoritetet kanë ndaluar hyrjen në apartamente, të cilat janë shpallur të pabanueshme. Furnizimi me energji elektrike dhe ujë është ndërprerë, ndërsa ashensorët janë jashtë funksioni. Gjithashtu, zona është rrethuar për të parandaluar hyrjen e banorëve deri në përfundimin e certifikimit teknik.
Dëme janë konstatuar jo vetëm në apartamente, por edhe në biznese që ndodheshin në katet e poshtme, përfshirë klinika private stomatologjike dhe estetike. Disa qytetarë të huaj që ndodheshin në këto ambiente kanë deklaruar se kanë humbur pothuajse gjithçka, përveç dokumenteve personale.
Ndërkohë, banorët janë mbledhur në pritje të grupeve teknike dhe po koordinojnë kërkesat e tyre, përfshirë dokumentacionin për verifikimin e dëmeve, bonusin e qirasë dhe mundësitë për strehim të përkohshëm dhe dëmshpërblim.
Situata në ndërtesë mbetet e rënduar dhe banorët kërkojnë zgjidhje të shpejtë, pasi rikthimi në banesat e tyre nuk është i mundur në një kohë të afërt për shkak të dëmtimeve të mëdha strukturore dhe teknike.
Gazetarja e Klan News Ermelinda Hoxha tha se në objekt janë konstatuar edhe probleme të tjera teknike, madje ajo pati një incident gjatë raportimit live, pasi diçka po i pikonte mbi kokë.
“Mund të ketë edhe problematika jo vetëm furnizimit me ujë por edhe ndonjë problem tjetër që mund të ketë ardhur, përshembull çarje të tubave sepse në këtë moment mua diçka po më pikon këtu në kokë. Mesa duket do ketë ndodhur ndonjë problematikë e furnizimit me ujë dhe janë gjëra që duhen të verifikohen përpara se qytetarët dhe bizneset të rikthehen.”, tha gazetarja Ermelinda Hoxha gjatë një raportimi live.
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se banorët e prekur nga zjarri që përfshiu pallatin në zonën pranë Farmacisë nr. 10 në Tiranë do të mbështeten me bonus qiraje deri në rikthimin e tyre në banesat e riparuara plotësisht./kb
