Klubi i Juventusit po përgatitet për një ristrukturim të thellë të skuadrës gjatë merkatos së dimrit. Numri i madh i lojtarëve në repartin ofensiv ka detyruar drejtuesit të planifikojnë largime të pashmangshme. Trajneri Luçiano Spaleti ka aktualisht në dispozicion shumë alternativa për fazën e sulmit.
Në skuadër bëjnë pjesë lojtarë si Conceicao, Zhegrova, Niko Gonzalez, McKennie, Ekator, Alajbegoviç, Boga dhe Yildiz. Rikthimi i afërt i talentit turk Yildiz pritet të ndryshojë edhe më shumë balancat në formacion.
Sulmuesi pritet të rikuperohet plotësisht para fundit të vitit dhe konsiderohet i paprekshëm. Kjo situatë do të reduktojë hapësirat për lojtarët e tjerë të këtij reparti. Për këtë arsye, drejtuesit bardhezi do të vlerësojnë me kujdes të gjitha ofertat në drejtim të tyre.
Qëllimi kryesor është balancimi i organikës dhe gjenerimi i të ardhurave për investime të reja. Lojtari i parë në listën e largimeve të mundshme është sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës, Edon Zhegrova. Lojtari kërkon më shumë minuta dhe vazhdimësi në fushën e lojës për pjesën e mbetur të sezonit. Shitja e tij do të lejonte klubin të regjistronte një plusvalencë të rëndësishme në bilancin financiar. Për kartonin e lojtarit dardan është rikthyer interesimi konkret nga kampionati i Arabisë Saudite.
Klubi i Al Itihadit kërkon një zëvendësues për lojtarin Fernandes, i cili ka pësuar një dëmtim. Në Europë, situata e Zhegrovës po monitorohet nga skuadra e Monakos e drejtuar nga Filipe Luis./mxh
