Një gjykatë në Stamboll ka dënuar një komedian të njohur për fyerje ndaj presidentit Recep Tayyip Erdogan, duke i dhënë një dënim prej gati 19 muajsh burg, por ka urdhëruar lirimin e tij për shkak të kohës së kaluar në paraburgim.
Gjykata ka vendosur gjithashtu një ndalim udhëtimi, duke e penguar atë të largohet nga Turqia. Vendimi përfundimtar për çështjen do të merret nga gjykata e apelit.
Deniz Goktas, i cili i ka mohuar akuzat, ka kaluar tashmë rreth 90 ditë në burg. Prokurorët kishin kërkuar një dënim deri në 12 vjet burg. Çështja e tij vjen në një kohë kur në Turqi janë shtuar arrestimet, për të cilat organizatat e të drejtave të njeriut thonë se synojnë shtypjen e zërave kundërshtues.
Performanca e tij humoristike u bë virale në YouTube, duke marrë më shumë se 15 milionë shikime. Prokurorët veçuan një pjesë të performancës ku komediani e quante liderin turk “një diktator të turpshëm”, por Goktas këmbënguli se në komentet e tij “nuk kishte asnjë element kriminal”.
“Diktator nuk është fyerje, është një karakterizim politik”, tha ai.
Por zemërimi i presidentit në Turqi nuk është çështje për të qeshur. Goktas u arrestua dhe u prangos në aeroportin e Stambollit në korrik, kur u kthye nga pushimet.
Gjatë paraqitjes së tij në gjykatë të hënën, ishte e qartë se 88 ditët e kaluara në izolim nuk ia kishin humbur sensin e humorit.
“Tre muaj më janë marrë nga jeta”, tha ai gjatë seancës. “Por e lashë duhanin, ndaj do t’i shtoj edhe tre muaj jetës sime.” Kjo shkaktoi të qeshura dhe duartrokitje të forta në sallën e gjyqit.
Pas lirimit, Goktas u tha gazetarëve:
“Ka mijëra njerëz të tjerë në burgjet e Turqisë. Disa, si unë, po mbahen në paraburgim, ndërsa të tjerë janë dënuar për shkak të pikëpamjeve të tyre.
Prandaj, sigurisht, është e mrekullueshme të jem jashtë. Më ka munguar shumë. Por nuk ka shumë ndryshim mes brenda dhe jashtë. Shpresoj që të vijë dita kur të gjithë të mund ta rifitojmë lirinë së bashku.”
Shumë të tjerë vijojnë të qëndrojnë pas hekurave, mes tyre gazetarë, aktivistë të të drejtave të njeriut, studentë protestues, aktivistë të komunitetit LGBTQ dhe kryetari i zgjedhur i Stambollit, Ekrem Imamoglu. Këto ditë, burgjet në Turqi janë të mbipopulluara.
Erdogan dhe partia e tij kanë mohuar në të kaluarën se arrestime të tilla, si ai i Imamoglut, kanë qenë të motivuara politikisht, duke këmbëngulur se drejtësia në Turqi është e pavarur./ad
