Last Updated on 08/01/2026 by EL
E Ngarkuara me Punë e SHBA në Shqipëri, Nancy VanHorn ka shkuar pasditen e kësaj të enjte në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ku është takuar me kryeprokuroin e ri Klodjan Braho dhe po ashtu, shefin e ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit, Joni Keta.
Selia diplomatike e Rrugës së Elbasanit ndan pamje nga takimi dhe thotë se Nancy VanHorn përgëzoi Brahon dhe Ketën për rolet e tyre të reja drejtuese, duke ritheksuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për përpjekjet e SPAK në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të narkotikëve.
“Së bashku, ne qëndrojmë të bashkuar në luftën kundër krimit ndërkombëtar”, thuhet në mesazh. E Ngarkuara me Punë e SHBA në Shqipëri është takuar dhe me ish-drejtuesin Altin Dumani dhe prokurorët e tjerë të SPAK, si dhe punonjësit e BKH-së.
Ambasada Amerikane ka ripublikuar dhe një pjesë nga deklarata e Sekretarit Amerikan të Sjtetit, Marco Rubio, për luftën kundër karteleve të drogës në botë dhe mbështetjen e palëkundur të SHBA për agjencitë e zbatimit të ligjit.
Shënimi i Ambasadës së SHBA mbyllet me këtë mesazh të Sekretarit Rubio:
“Ne do të përballemi me kartelet e drogës kudo që ndodhen dhe kudo që veprojnë kundër interesave të Shteteve të Bashkuara. Detyrimi kryesor i presidentit është të sigurojë interesin kombëtar dhe sigurinë kombëtare të popullit tonë.”
