Last Updated on 25/04/2025 by adminfjala
Bazilika e Shën Pjetrit u rihap sërish mëngjesin e sotëm për të lejuar besimtarët që duan t’i japin lamtumirën e fundit Papa Françeskut.
Fluksi vazhdoi gjatë natës dhe deri në orët e para të mëngjesit. Bazilika do të jetë e hapur deri në orën 19:00, kur do të zhvillohet riti për mbylljen e arkivolit të Papës. Deri në orën 19:00 të ditës së djeshme, mbi 90 mijë njerëz bënë homazhe në arkivolin e Papës në Bazilikë e Shën Pjetrit dhe gjatë natës llogaritet se fluksi i besimtarëve mund të ketë kaluar 100 mijë.
Nesër në orën 10.00 do të mbahet ceremonia e varrimit në sheshin e Shën Pjetrit, më pas transferimi nëpër rrugët e Romës për në Kishën e Santa Maria Maggiore, ku edhe do të varroset. Varri ku do të prehet është i përbërë prej mermeri ligurian dhe do të ketë vetëm mbishkrimin Françeskut dhe një kryq.
Synohet që gjatë rrugëtimit rreth 5 kilometra, t’u jepet mundësi edhe pjesëmarrësve të tjerë t’i japin Papa Françeskut, lamtumirën e fundit. Në ceremoni, një vend të rëndësishëm mes pjesëmarrësve të rangjeve të larta do të kenë edhe grupe refugjatësh e emigrantësh ilegalë dhe të varfrit, të cilët kanë qenë prioritet i Papatit të Françeskut. Kardinali Giovanni Battista Re, dekan i Kolegjit të Kardinalëve do të kryesojë meshën funerale, e cila do të kremtohet nga patriarkët, kardinalët, kryepeshkopët, peshkopët dhe priftërinjtë nga e gjithë bota.
Rreth 2,000 policë do të jenë në detyrë, të cilëve do t’u bashkohen mijëra oficerë të tjerë nga forcat e sigurisë kombëtare. Veç trupave të policisë e ushtrisë, në Romë do të aktivizohen të shtunën edhe sisteme kundër dronëve dhe raketave, si pjesë e masave në rritje të sigurisë, ditën kur në këtë qytet do të jenë udhëheqës nga e gjithë bota. Të gjitha rrugët do të mbyllen përreth Vatikanit të shtunën.
Zyra e Protokollit të Sekretariatit të Shtetit të Vatikanit raporton se janë konfirmuar 130 delegacione për funeralin e Papa Françeskut, të shtunën në mëngjes, nga të cilët afërsisht 50 krerë shtetesh dhe 10 sovranë mbretërorë. Shqipëria do të përfaqësohet nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i cili u nis ndodhet në Itali. Nga liderët botërorë kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre Presidenti i SHBA, Donald Trump se bashku me zonjën e parë Melania Trump.
Princi William i Britanisë, do të marrë pjesë në funeralin në emër të Mbretit Çarls i shoqëruar nga Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer. Do jetë gjithashtu edhe presidenti i Ukrainës, Volodomyr Zelenskiy, ai francez Emmanuel Macron dhe shumë liderë të tjerë./E.S