Xavier Trudeau, i njohur edhe si Xav dhe që së fundmi ka nisur karrierën e tij muzikore me këngën debutuese “Til The Nights Done”, ka folur në podcast-in Can’t Be Censored për marrëdhënien e babait të tij, Justin Trudeau, me këngëtaren e famshme Katy Perry.
Gjatë intervistës, ai tha se ka një përshtypje shumë pozitive për Perry-n, duke e përshkruar si një person të thjeshtë, të sjellshëm dhe me këmbë në tokë. Sipas tij, ajo i jep shpesh këshilla edhe për muzikën e tij.
“Kur jam i kënaqur me një këngë, ia dërgoj asaj. Ajo gjithmonë më thotë çfarë duhet të ndryshoj ose më jep sugjerime” u shpreh ai.
Xavier shtoi gjithashtu se beson që babai i tij është i lumtur në këtë lidhje dhe se kjo është gjëja më e rëndësishme për të. “Ajo është shumë e mirë, shumë e thjeshtë dhe shumë me këmbë në tokë. Dhe mendoj se babai im është i lumtur, dhe kjo ka rëndësi,” tha ai.
Ai komentoi edhe vëmendjen e madhe mediatike që ka marrë kjo marrëdhënie, duke thënë se është mësuar me faktin që jeta e familjes së tij shpesh bëhet publike dhe diskutohet në rrjete sociale.
Në intervistë u përmend gjithashtu edhe nëna e tij, Sophie Grégoire Trudeau, e cila më herët e kishte quajtur këtë lidhje “zhurmë” në një deklaratë publike.
Xavier tha se edhe pse ndonjëherë i duket e çuditshme jeta nën vëmendjen e publikut, ai është mësuar tashmë dhe e merr me humor situatën./mxh
