Last Updated on 04/06/2026 by Kesjana
Violand Braçellari është autori i ngjarjes së rëndë në fshatin Lozhan të zonës së Maliqit në Korçë. 43-vjeçari ishte i shpallur në kërkim, teksa policia kishte mundur ta lokalizonte dhe mëngjesin e sotëm ndërmori një operacion për ta arrestuar në vendlindjen e tij.
Sipas raportimeve, Bracellari, ish-ushtarak, nuk i është bindur urdhrave të policisë dhe është përgjigjur me të shtëna kundrejt thirrjeve për dorëzim. Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, ka mbetur i vdekur efektivi i forcave Shqiponja, Enea Mekolli dhe është plagosur Edison Adri, jashtë rrezikut për jetën, i nisur me helikopter drejt Traumës.
Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, ka arritur të sigurojë dosjen hetimore të Violand Bracellarit. Autori i masakrës së sotme u procedua penalisht dhe më pas u shpall fajtor nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, kryer në bashkëpunim me persona të tjerë të paidentifikuar.
Çështja lidhej me një hetim të nisur në shtator të vitit 2015, pas informacioneve të marra nga policia për aktivitete të dyshuara që lidhnin disa persona me kultivimin dhe përpunimin e lëndës narkotike cannabis sativa në zonën e Lozhanit, Korçë.
Sipas materialeve të administruara gjatë procesit gjyqësor, më 29 shtator 2015 policia konstatoi disa persona dhe mjete në rrethana të cilësuara si të dyshimta. Gjatë kontrollit të një automjeti ku ndodhej edhe Violand Braçellari u gjetën qese plastike të mëdha dhe doreza plastike, të cilat hetuesit i konsideruan si sende që mund të përdoreshin në aktivitetin e përpunimit dhe paketimit të lëndës narkotike. Pas këtyre veprimeve, policia ushtroi kontrolle në disa banesa në fshatin Lozhan.
Në një banesë në pronësi të një të afërmi të familjes Braçellari, por që sipas gjykatës përdorej nga Violand Braçellari dhe familjarët e tij, u gjetën 10.8 gram mbetje të thara cannabis sativa dhe një kalorifer elektrik.
Hetuesit dhe më pas gjykata arritën në përfundimin se ambienti ishte përdorur për tharjen e një sasie shumë më të madhe lënde narkotike, e cila ishte larguar para ndërhyrjes së policisë. Megjithëse sasia e gjetur ishte e vogël, ajo u konsiderua si mbetje e një aktiviteti më të gjerë të kultivimit dhe përpunimit të cannabis-it.
Një rol qendror në çështje luajtën të dhënat e nxjerra nga telefoni celular BlackBerry i sekuestruar nga policia. Nga ekspertimi i pajisjes rezultuan komunikime të shumta me persona të tjerë, të regjistruar me emra si “Sandri” dhe “Toni”.
Në këto biseda përmendeshin terma dhe situata që, sipas interpretimit të gjykatës, lidhnin drejtpërdrejt të pandehurin me kultivimin, transportimin, tharjen dhe përgatitjen për shitje të cannabis-it. Në mesazhe flitej për kontrollimin e “bimëve”, përdorimin e bombolave të gazit gjatë procesit të tharjes, sigurimin e thasëve për transport, peshimin e lëndës dhe koordinimin e veprimeve me persona të tjerë.
Gjithashtu, në telefon u gjetën fotografi që sipas gjykatës dokumentonin faza të ndryshme të kultivimit dhe përpunimit të lëndës narkotike. Mbrojtja kundërshtoi akuzën duke pretenduar se kontrolli i banesave ishte kryer në mënyrë të paligjshme, se procesverbalet kishin parregullsi dhe se nuk provohej lidhja e drejtpërdrejtë e Violand Braçellarit me lëndën narkotike të gjetur. U ngritën gjithashtu pretendime se prova materiale mund të ishte manipuluar ose vendosur nga policia.
Megjithatë, gjykata i rrëzoi këto pretendime, duke vlerësuar se procedurat e kontrollit ishin respektuar, se në kontroll kishin qenë të pranishëm persona të tretë dhe se provat e mbledhura ishin të ligjshme dhe të besueshme.
Në arsyetimin e saj, gjykata theksoi se nuk ishte e nevojshme të provohej saktësisht vendi ku ishte kultivuar lënda narkotike apo identiteti i të gjithë bashkëpunëtorëve. Sipas saj, mjaftonte fakti që provat tregonin pjesëmarrjen e Violand Braçellarit në një veprimtari të organizuar që përfshinte transportimin, tharjen, ruajtjen dhe përgatitjen e cannabis-it për shpërndarje.
Gjykata vlerësoi se ekzistonte një bashkëpunim kriminal me persona të tjerë, edhe pse ata nuk u identifikuan plotësisht gjatë hetimeve. Në përfundim, gjykata arriti në bindjen se ishte provuar përtej dyshimit të arsyeshëm se Violand Braçellari kishte marrë pjesë në veprën penale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve në bashkëpunim.
Për këtë arsye ai u deklarua fajtor dhe u dënua me 10 vjet burgim. Në caktimin e dënimit u morën në konsideratë natyra e veprës penale, rrezikshmëria shoqërore e saj, provat e administruara gjatë gjykimit, si dhe fakti që ai kishte pasur edhe një dënim të mëparshëm për vepra që lidhen me lëndët narkotike./kb
