Last Updated on 03/02/2026 by Monika
Zbulimet më të fundit nga dosjet e Jeffrey Epstein po shtojnë presionin publik për më shumë transparencë dhe përgjegjësi ndaj ish-Princit Andrew, ka deklaruar biografi mbretëror britanik Andrew Lownie.
Kryeministri britanik Keir Starmer tha të shtunën se Andrew duhet të dëshmojë përpara një komisioni të Kongresit amerikan, pas publikimit të dokumenteve të reja nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së. Dosjet, të bëra publike të premten, tregojnë se vëllai i Mbretit Charles mbajti kontakte të rregullta me Epstein për më shumë se dy vjet pasi ky i fundit ishte dënuar për krime seksuale ndaj të miturve.

Dokumentet përfshijnë gjithashtu fotografi ku Andrew duket duke u përkulur dhe duke prekur belin e një gruaje të paidentifikuar, e shtrirë në dysheme. Fytyra e saj është e mbuluar në imazhet e redaktuara.
Andrew Lownie tha për Reuters se masa si largimi nga Royal Lodge apo heqja e titujve nuk do të mjaftojnë për të qetësuar opinionin publik. “Njerëzit duan ta shohin të mbajë përgjegjësi dhe të përballet me drejtësinë,” u shpreh ai, duke shtuar se Andrew kishte persona që e ndihmonin dhe e mundësonin stilin e tij të jetesës, përfshirë përdorimin e avionëve, helikopterëve dhe sjelljen e prostitutave në rezidenca mbretërore.
Ndërkohë, BBC raportoi se një avokat amerikan ka deklaruar se një grua ka pretenduar se Epstein e kishte dërguar në Britani për një takim seksual me Andrew në vitin 2010, në një pronë mbretërore në Windsor. Gruaja, e cila nuk është britanike, është e dyta që pretendon se është dërguar nga SHBA në Britani për t’u takuar me Andrew, pas Virginia Giuffre.
Në vitin 2022, Andrew arriti një marrëveshje financiare jashtë gjykate me Giuffre, e cila e kishte paditur në SHBA. Giuffre vdiq nga vetëvrasja në prill 2025. Andrew ka mohuar vazhdimisht çdo akuzë për keqbërje.
Përfaqësuesit e tij nuk kanë reaguar ende ndaj kërkesave për koment mbi pretendimet e fundit./mxh
