Sot në orën 12:30 pritet të zhvillohet në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar seanca e radhës për çështjen e njohur si dosja “Partizani”, ku të pandehur janë ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe të tjerë të përfshirë në hetim.
Çështja lidhet me privatizimin e kompleksit shumësportësh “Partizani”.
SPAK ka kërkuar thirrjen e 11 dëshmitarëve, ndërsa në seancën e sotme pritet të dëshmojnë 8 prej tyre.
Mes dëshmitarëve është edhe deputeti i Partisë Socialiste, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, në cilësinë e kallëzuesit të çështjes.
Në listë përfshihen gjithashtu ish-drejtues dhe zyrtarë të ish-klubit “Partizani”, të cilët pritet të japin dëshmi mbi procedurat e kalimit të pronës, si Albert Xhani, Paro Laçi, Bujar Labinoti, Afrim Tole dhe Isa Tare.
Seanca pritet të fokusohet në dëshmitë e tyre dhe në shqyrtimin e mëtejshëm të provave të paraqitura nga palët.
Më herët GJKKO ka pranuar që edhe kryeministri Edi Rama të thirret si dëshmitar për çështjen./ kb
