Studiuesit thonë se zgjedhja e dritave të duhura dhe vendosja e tyre me kujdes mund të bëjë një ndryshim rrënjësor.
Ishte pak pas orës 19:00, më 6 dhjetor, kur errësira kishte mbuluar prej kohësh veriun e Seattle-it. Por në Candy Cane Lane gjithçka ishte e ndriçuar dhe festive.
Banda marshuese e Universitetit të Uashingtonit mbushte rrugën me “Feliz Navidad”, instrumentet e bakrit të mbështjella me fije të arta drite.
Qentë me qafore LED kalonin mes karrocave të fëmijëve, ndërsa një Grinch gjigant fryhej nga era pranë një shtëpie me vetëm një varg dritash shumëngjyrëshe.
Prej më shumë se 70 vitesh, banorët e kësaj rruge i ndriçojnë javët më të errëta të dimrit me kujdes, por pa ekzagjerime.
Ata zgjedhin drita të ngrohta, të mbrojtura dhe me kohëzgjatje të kufizuar, për të shmangur ndotjen për fqinjët, bimët, shpendët shtegtarë, dhe këdo që përpiqet të flejë.
Kjo përmbajtje po bëhet gjithnjë e më e rrallë.
Imazhet satelitore tregojnë se disa komunitete ndriçohen deri në 50% më shumë gjatë festave, duke iu shtuar një niveli global ndotjeje nga drita që rritet deri në 10% çdo vit.
Dritat e lira dhe eficiente LED e kanë bërë më të lehtë se kurrë ndriçimin e natës së dimrit, por kjo dritë përhapet në lagje dhe ekosisteme.
“Të shijosh dritat është kënaqësi dhe kjo mund të ketë edhe efekte pozitive,” thotë Phyllis Zee, mjeke e mjekësisë së gjumit. “Por duhet të jemi të vetëdijshëm dhe të ulim efektet potencialisht të dëmshme.”
Jeta është zhvilluar me ditë të ndritshme dhe netë të errëta. Trupi i njeriut është i përshtatur për dritë të zbehtë, ngjyrë qelibar, pas perëndimit.
LED-et moderne, më të forta dhe më blu, ndikojnë melatoninën dhe e mbajnë trurin në gjendje alarmi. Edhe ndriçimi i lehtë, si drita e rrugës që hyn nga dritarja, mund ta shkaktojë këtë reagim.
“Rritet kortizoli, rriten rrahjet e zemrës,” thotë Zee. “Trupi sillet sikur duhet të jetë gati të zgjohet në çdo moment.”
Ekspozimi ndaj dritës gjatë natës lidhet me rrezik më të lartë për depresion, diabet dhe obezitet. Një studim i fundit gjeti lidhje edhe me rrezik më të lartë për infarkt, goditje në tru dhe çrregullime të ritmit të zemrës.
Dimri e përkeqëson situatën: bora dhe retë e përforcojnë ndriçimin e natës, ndërsa ditët e shkurtra ulin sinjalet natyrore që rregullojnë orën biologjike.
Sipas shkencëtarëve, zgjidhja nuk është të heqim dorë nga festat. Zgjedhja e dritave më të ngrohta, përdorimi i kohëmatësve dhe ndriçimi vetëm i zonave që kanë vërtet rëndësi mund të ruajnë atmosferën festive pa dëmtuar shëndetin apo natyrën.
“Si muzika, edhe drita ka nevojë për pauza,” thotë Travis Longcore, profesor i mjedisit në UCLA.
Ekspertët këshillojnë gjithashtu të shmanget ndriçimi që drejtohet lart. “Asnjë dritë nuk duhet të shkojë drejt qiellit,” thotë Michael Siminovitch. Shumë prej saj thjesht humbet, duke ndikuar vetëm te nata vetë.
Kujdesi duhet të shtrihet edhe te fauna. Studime tregojnë se dritat e forta të festave ndryshojnë sjelljen e kafshëve, nga ketrat te insektet, duke rritur rrezikun për to.
“Të gjithë ne funksionojmë më mirë me cikle natyrore drite dhe errësire,” theksojnë studiuesit.
Mesazhi është i thjeshtë: festoni, por me përgjegjësi. Ndonjëherë, mjafton të fikni dritën e verandës para se të shkoni në shtrat. m.p.
