Në Belgjikë është ngritur alarmi për sigurinë kombëtare, pas pranisë së përsëritur të dronëve pranë aeroporteve dhe bazave ushtarake. Autoritetet belge kanë thirrur një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, pas incidentit më të fundit të ndodhur mbrëmjen e së martës.
Për disa orë, aeroporti i Brukselit, më i ngarkuari në vend, u detyrua të ndalonte si mbërritjet, ashtu edhe nisjet e fluturimeve. Situata shkaktoi anulimin e dhjetëra fluturimeve dhe vonesa të gjata për udhëtarët.
Ngjarjet e fundit kanë ngritur shqetësime serioze mbi sigurinë ajrore dhe rrezikun potencial për infrastrukturën kritike të vendit. Autoritetet belge po hetojnë origjinën dhe qëllimin e fluturimeve të paautorizuara të dronëve.
Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, gjatë Forumit të Industrisë së Mbrojtjes që po mbahet në Bukuresht, deklaroi se aleanca po punon për të rritur kapacitetet e prodhimit të municioneve.
Sipas tij, “Rusia dikur prodhonte më shumë, por tashmë jo më”, duke theksuar se vendet aleate kanë nisur të hapin linja të reja prodhimi për të përmbushur nevojat mbrojtëse të NATO-s./kb
