Last Updated on 02/09/2026 by EL
Studiuesi dhe politologu i njohur Afrim Krasniqi tregon se në draftin e dorëzuar në Kuvend nga socialistët për Reformën e re Administrative-Territoriale, parashikohet që disa zona të shpallen qytet, pavarësisht se nuk janë qendra qytetesh dhe as kanë infrastrukturën e nevojshme.
“Urime Dukagjinit, Velipojës, Shupenzës dhe Maqellarës për shpalljen QYTET”, shkruan ai, duke theksuar se me miratimin e reformës, ato do të jenë qytete me status të njëjtë si Tirana, Durrësi, Shkodra, Korça, Elbasani, etj, me dallim të vetëm se këto të fundit do jenë edhe qendra bashkie.
“Nuk ka rëndësi nëse aty ka qytet, qendër qyteti, emër qyteti, rrugë qyteti, lagje qyteti, simbol qyteti, ndonjë kopsht, çerdhe apo spital, ndonjë zyrë apo ndonjë pallat, etj, etj, rëndësi ka vendimi politik. Partia ka vendosur. Vendimi është ligjor dhe pret votën në Kuvend”, vijon ai.
Sipas Afrim Krasniqit, disa nga fshatrat e qyteteve të reja prej 30 korrikut janë propozuar për t’u bërë qytet dhe kështu do të ndodhë, nëse drafti merr votat e nevojshme.
“Qeveria ankohet se po bën reforma të mëdha, por qytetarët nuk janë të informuar dhe nuk i kuptojnë dot. Mund të ketë të drejtë. Disa nga fshatrat e qyteteve të reja me siguri nuk janë informuar si/sa duhet se prej 30 korrikut janë bërë qytet dhe ndaj nuk kanë arritur ta kuptojnë ende aromën e reformën e madhe, siç mund ta ketë kuptuar p.sh., Vau i PSD-së, Roskoveci, Orikumi apo Vora, qytete këto me traditë të vjetër dhe mbijetuese ndaj komisioneve për reforma!
Janë kohë histo(e)rike, kohë reformatore / reformatorësh. Mjafton një laptop, një laps e letër dhe telefoni i shefit. Njëri flet, tjetri shkruan, i treti vizaton. Pastaj votohet me 84 vota pro dhe gati për në BE. Kaq e thjeshtë është historia”, përmbyll ai.
