Një konflikt për motive të dobëta ka përfunduar me plagosjen e një 15-vjeçari nga një adoleshent 14-vjeçar. Ngjarja ndodhi më 25 nëntor, në lagjen 14/1, në rrugën “Lugina e Karavastasë” në Durrës.
Sipas policisë, specialistët e Komisariatit të Durrësit, menjëherë pas njoftimit, organizuan punën për zbardhjen e ngjarjes dhe kapjen e autorit.
Nga hetimet e para rezultoi se shtetasi i mitur M. K., 14 vjeç, ka goditur me thikë shtetasin E. B., 15 vjeç, duke i shkaktuar plagë të rënda. Viktima ndodhet aktualisht në Spitalin Rajonal të Durrësit, nën kujdesin e mjekëve.
Pas disa orësh kërkimesh, policia bëri të mundur kapjen e 14-vjeçarit dhe sekuestrimin e mjetit prerës të përdorur gjatë plagosjes. Adoleshenti u arrestua në flagrancë për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Materialet procedurale u referuan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme./ K.M
