Një zjarr i madh ka shpërthyer të martën në një uzinë petrokimike në rajonin e Tatarstan, në Nizhnekamsk, duke shkaktuar vdekjen e dy personave dhe plagosjen e rreth 60 të tjerëve.
Sipas kompanisë Sibur, e cila zotëron kompleksin industrial Nizhnekamskneftekhim, zjarri dyshohet të jetë shkaktuar nga një defekt i paidentifikuar në pajisje.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë një re të madhe tymi që ngrihet mbi zonën industriale, ndërsa mbi 60 zjarrfikës u angazhuan për të vënë nën kontroll flakët në kompleksin e madh që prodhon goma sintetike dhe plastikë.
Autoritetet bënë të ditur se shërbimet mjekësore ndodhen në vendngjarje dhe të plagosurit po marrin ndihmën e nevojshme. Ndërkohë, specialistët janë duke monitoruar cilësinë e ajrit dhe, sipas kompanisë, deri tani nuk është konstatuar ndonjë rrezik për banorët apo mjedisin.
Kryetari i bashkisë, Radmir Belyaev, deklaroi se nga shpërthimi janë thyer dritaret e disa ndërtesave të banimit në zonë.
Për shkak të incidentit, autoriteti rus i aviacionit vendosi përkohësisht kufizime në aeroportin lokal të qytetit.
Shkaqet e plota të ngjarjes mbeten ende nën hetim, ndërsa përpjekjet për shuarjen e plotë të zjarrit vijojnë./mxh
