Zyrtarët britanikë të imigracionit që akuzohen për vjedhje parash dhe asetesh nga anijet e vogla me emigrantë që kanë mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar, kanë mohuar fajësinë në gjyqin e mbajtur në ngarkim të tyre.
Gjashtë oficerët e akuzuar punonin për Ministrinë e Brendshme dhe ekipet e reagimit në operacione të fshehta kundër emigracionit në juglindje të Mbretërisë së Bashkuar.
Besmir Matera, 36 vjeç, Lee-Ann Evanson, 42 vjeç, John Bernthal, 53 vjeç, Ben Edëardes, 45 vjeç, Jack Mitchell, 33 vjeç, dhe David Grundy, 43 vjeç, akuzohen për pastrim parash, ndërsa pesë prej tyre përballen me akuza për shkelje të detyrës dhe komplot për të kryer vjedhje, të cilat ndodhën midis viteve 2021 dhe 2022.
Ata u paraqitën së bashku në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Kurorës Southwark në Londër, ndërsa gjatë fjalës së tyre mohuan të gjitha akuzat. Prokurori Lyndon Harris i tha gjykatës se të pandehurit ishin përgjegjës për menaxhimin e mbërritjes së migrantëve në anije të vogla, përpunimin fillestar të të dhënave të tyre, dhe kontrollin e çantave të emigrantëve.
Gjykatësi Nicholas Rimmer, njoftoi të pandehurit se gjyqi i tyre i radhës ishte caktuar për tu mbajtur më 17 janar 2028, ndërsa ata janë liruar me kusht
Shqiptari, Besmir Matera, një nga oficerët e akuzuar, akuzohet gjithashtu për marrjen e lejes për të hyrë në Mbretërinë e Bashkuar, përmes mashtrimit midis viteve 2003 dhe 2004. Gjykata tha se ai gënjeu për rrethanat e tij personale, duke përfshirë dhënien e një emri, datëlindjeje, vendi të lindjes dhe kombësie të rreme kur aplikoi për azil.
Ai aplikoi për azil në vitin 2003, duke pretenduar se ishte nga Kosova dhe kishte mbërritur në Britani në pjesën e pasme të një kamioni. Por, Matera ishte nga Shqipëria dhe mbërriti në Britani prej një ekskursioni shkollor. 36-vjeçari përballet gjithashtu me dy akuza për posedim të një dokumenti identiteti me qëllim të papërshtatshëm, konkretisht një pasaporte dhe një leje drejtimi./mxh
