Last Updated on 20/04/2025 by adminfjala
Kryeministri Edi Rama ka replikuar me Ilir Vrenozin, një simpatizant të njohur të Partisë Demokratike, i cili publikoi një video në rrjetet sociale ku tregonte se ishte ftuar nga Rama për të pirë një kafe në Pogradec, por e kishte refuzuar ftesën.
Vrenozi publikoi një video ku rrëfente se kishte marrë një telefonatë nga ministri Niko Peleshi, i cili ia kishte kaluar më pas telefonin Kryeministrit Rama. Sipas Vrenozit, Rama i kishte kërkuar të takoheshin për një kafe private në Pogradec, por ai kishte refuzuar me arsyetimin se nuk preferon të pi kafe “nëpër vende të tilla”.
“E mo Vrenoz, si të kam?”, kishte qenë përshëndetja e Ramës, që sipas Vrenozit, e kishte lënë pa fjalë për disa sekonda. “I thash nuk bëhet. Unë jam qytetar, dera e shtëpisë është e hapur, por s’jam për kafe rrugëve”, tregoi Vrenozi në videon e tij.
Në reagimin e tij, Rama nuk mohoi bisedën, madje tha me humor se është “tifoz i videove të Vrenozit”.
“Vrenoz ja ku më ke. Ti me tënden je në rregull, por halli ishte me ata çyrykët e tu që u lëshuan jo donte ta blinte Rama, jo ja përplasi derën në fytyrë Vrenozi”, tha Rama, duke shtuar se dëshiron të bëjë një analizë pas zgjedhjeve me Vrenozin në një podcast të përbashkët.
“Më tha kam dëshirë që të vish në podcastin tim dhe i thash jo”, thotë Vernozi, ndërsa Rama iu përgjigj: I thash vjen ti Vrenoz në podcastin tim dhe nuk më kujtohet të më kesh thënë jo, një analizë të zgjedhjeve do ta bëjmë ne bashkë pas 11 majit.
Më tej simpatizanti demokrat ironizoi ngjarjen duke theksuar se ka 12 vite që e shan kryeministrin dhe “refuzimi i tij tregon frikën e palës tjetër”, ndërsa Rama i thotë që “ata të tutë do të dalin si mos më keq nga kjo garë dhe do të vij në shtëpi me 5 trëndafila ma hap derën ose jo, atë e di ti”.
“Që të jemi të saktë më the derën e shtëpisë s’ja mbyll dot kryeministrit po unë se kam shtëpinë në gjendje të mirë. Dhe unë të thash se kam problem këtë dhe në shtëpi do të vij pa të pyetur pas 11 majit”, shprehet Rama./E.S