Last Updated on 22/03/2026 by Anisa
Kryeministri Edi Rama ka ndërmarrë një valë të re dhe të gjerë ndryshimesh në strukturat drejtuese të Partisë Socialiste, duke rikonfiguruar drejtimin politik në disa nga qarqet kryesore të vendit dhe duke sinjalizuar një fazë të re organizimi për mazhorancën.
Vendimi më i rëndësishëm lidhet me kryeqytetin. Taulant Balla është emëruar drejtues politik i qarkut të Tiranë, duke marrë një rol kyç në zonën më të rëndësishme elektorale. Ai do të drejtojë së bashku me Ogerta Manastirliun dhe Damian Gjiknurin, duke krijuar një treshe drejtuese për kryeqytetin.
Këto ndryshime vijnë pas largimit të Elisa Spiropalit nga drejtimi politik i Tiranës, një vendim që u bë publik gjatë mbledhjes së Asamblesë së PS-së. Spiropali është transferuar në terren, ku do të angazhohet në fushatë në njësinë 13 në kryeqytet.
Lëvizje të rëndësishme janë bërë edhe në qarqe të tjera. Në Fier është rikonfirmuar Belinda Balluku, duke ruajtur drejtimin politik të këtij qarku. Ndërkohë, në Durrës është shkarkuar Emirjana Sako dhe në krye të qarkut është vendosur Blendi Klosi.
Në Shkodër është larguar Benet Beci, ndërsa drejtimi i është besuar ministrit të ri të Energjetikës, Enea Karakaçi.
Ndryshime janë bërë edhe në qarqe të tjera të vendit: Eduard Shalsi është larguar nga Kukësi dhe është zhvendosur në Tiranë, ndërsa drejtimin e Kukësit e ka marrë Erjon Malaj. Në Lezhë është caktuar Ermal Nufi, ndërsa Ulsi Manja do të ketë rol koordinues në Dibër.
Kryeministri Rama ka rikonfirmuar gjithashtu disa nga figurat kryesore të mazhorancës në qarqet e tyre, përfshirë Belinda Balluku në Fier, si dhe emra të tjerë si Bledi Çuçi, Mirela Kumbaro, Niko Peleshi dhe Arbjan Mazniku, të cilët mbeten në detyrë.
Një zhvillim i veçantë lidhet me diasporën. Pas largimit të Ballës nga ky rol, ende nuk është caktuar një drejtues i ri, pasi Partia Socialiste po punon për ngritjen e një strukture të re organizimi për votën e emigrantëve. Në fokus është krijimi i këshillave koordinues dhe një rrjeti të strukturuar jashtë vendit, duke respektuar legjislacionin e shteteve pritëse për mbrojtjen e të dhënave personale.
Në planin politik, Rama ka paralajmëruar edhe një referendum për numrin e deputetëve, ndërsa ka theksuar se negociatat me Bashkimi Europian pritet të mbyllen brenda mandatit të katërt të socialistëve. “Nuk ka mërgatë qyqesh në Berlin dhe Bruksel që na ndal në këtë proces”, u shpreh ai, duke shtuar se qindra persona po punojnë çdo ditë për kapitujt e negociatave.
Ndërkohë, kryeministri ka njoftuar se do të mbledhë të dielën drejtuesit e qarqeve në selinë e Partisë Socialiste, në një takim që pritet të konsolidojë më tej këtë riorganizim të brendshëm.
Lëvizjet e fundit konfirmojnë një ristrukturim të thellë brenda socialistëve, ku besnikëria politike dhe rezultatet në terren duket se po marrin një peshë gjithnjë e më të madhe në vendimmarrje./fjala.al-A.D
