Pas kërkesës së SPAK për autorizim nga Kuvendi i Shqipërisë për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, ndiqen disa hapa bazuar në procedurën e parashikuar në Rregullore, që zbatohet edhe kur deputeti është anëtar qeverie.
Kërkesa i paraqitet Kryetarit të Kuvendit, në këtë rast, Niko Peleshit. Ky i fundit, e përcjell menjëherë në Këshillin për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet, duke vënë në dijeni edhe deputeten, ministren e njëherësh numrin dy të qeverisë, Belinda Balluku.
Pasi njoftohet zyrtarisht, ajo ka të drejtë të japë shpjegime, të përfaqësohet nga avokati dhe të ushtrojë të plotë të drejtën e mbrojtjes. Këshilli shqyrton kërkesën dhe brenda 2 javësh harton raportin, ku rekomandon miratimin ose rrëzimin e saj. Raporti u shpërndahet deputetëve.
Më pas, kërkesa futet si pikë e parë e rendit të ditës në seancën plenare. Fjalën, po sipas Rregullores së Kuvendit, e merr deputetja për të cilën është bërë kërkesa, pa u hapur diskutimi mbi raportin.
Vendimi merret me votim të hapur. Nëse Kuvendi nuk shprehet brenda 3 muajve, kërkesa e Prokurorisë së Posaçme AntiKorrupsion konsiderohet e rrëzuar. M.P.
