Last Updated on 26/09/2026 by EL
Ekonomisti Jakup Bllaqa, në një intervistë për RTV Dukagjini, ka folur për rëndësinë e punës, të ardhurave dhe menaxhimit të parasë, duke e lidhur ekonominë e individit me funksionimin e familjes dhe të shoqërisë.
Sipas Bllaqës, puna është një element thelbësor për funksionimin e individit dhe të shoqërisë, ndërsa mungesa e saj mund të sjellë probleme ekonomike dhe sociale.
“Puna është jetë. Momenti kur nuk punon, thjesht krijon probleme”, është shprehur ai.
Bllaqa ka theksuar se niveli i të ardhurave ndikon edhe në mënyrën se si njerëzit planifikojnë të ardhmen. Sipas tij, kur të ardhurat janë të ulëta, fokusi kryesor është mbijetesa, ndërsa me rritjen e të ardhurave krijohen mundësi për investime dhe zhvillim.
Ai është ndalur edhe te koncepti i ekonomisë familjare, duke theksuar rëndësinë e kontributit dhe mbështetjes së ndërsjellë mes anëtarëve të familjes.
“Ekonomia familjare është nëse ndihmojnë njëri-tjetrin të gjithë pjesëtarët. Edhe mban familjen, edhe bën që familja të funksionojë”, ka deklaruar Bllaqa.
Në fund, ekonomisti ka vënë theksin jo vetëm te rëndësia e fitimit të të ardhurave, por edhe te mënyra se si ato menaxhohen.
“Përpos parasë që është jetike me punu edhe me fitu, duhet me ditë se si ta menaxhojmë paranë”, ka theksuar ai.
