Last Updated on 30/05/2026 by Kesjana
Pas portave të larta në Manzë, fshihet një botë që për shumicën e shqiptarëve mbetet pothuajse e panjohur. Një komunitet me rregulla të veta, kujtime të rënda dhe një kauzë politike që anëtarët thonë se u ka marrë gjithçka, deri edhe jetën personale. Këtu, në Ashraf 3, jetojnë rreth 2 mijë e 800 anëtarë të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK), kundërshtarë të regjimit iranian, të cilët prej më shumë se një dekade kanë gjetur strehë në Shqipëri.
Një grup i Fjala.al udhëtoi drejt këtij kompleksi të fortifikuar për të parë nga afër jetën pas portave të një kampi që shpesh është përfolur, por rrallë është parë nga brenda. Mes muzeut të kujtesës, fotografive të viktimave, rrëfimeve për rezistencën dhe heshtjes që mbulon këtë kamp, Ashraf 3 shfaqet si një realitet krejt i veçantë, një vend ku e shkuara duket se jeton ende dhe ku çdo ditë ndërtohet rreth një ideje të vetme: rezistencës.
……..
Në një zonë të rrethuar në Manzë, rreth gjysmë ore larg Tiranës, ndodhet Ashraf 3 , një kompleks i rrethuar me gjelbërim dhe vepra arkitekturore të një stili të veçantë, ku jetojnë rreth 3,000 anëtarë të People’s Mojahedin Organization of Iran, e njohur shpesh si MEK ose Mujahedinët iranianë.
Prej vitit 2013, Shqipëria është kthyer në strehën e tyre të re, pas një procesi zhvendosjeje të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara, pas largimit nga Iraku për arsye sigurie.
Para se të mbërrinin në Shqipëri, anëtarët e MEK jetonin në Irak, ku kampet e tyre ishin shpesh objekt sulmesh dhe pasigurie. Pas ndërhyrjes ndërkombëtare dhe ndryshimeve politike në rajon, Shqipëria pranoi t’i strehojë, duke u bërë një nga vendet e pakta që pranoi një komunitet të tërë opozitar në mërgim.
Ky vendim u shoqërua me pasoja diplomatike. Në vitin 2018, Shqipëria dëboi dy diplomatë iranianë, përfshirë ambasadorin, me argumentin e cenimit të sigurisë kombëtare, një akt që u interpretua si përshkallëzim i marrëdhënieve me Teheranin.
Një grup i Fjala.al ishte brenda kompleksit të Ashraf 3, ku ndodhen struktura banimi, ambiente pune, mensa, palestër, studio regjistrimi dhe hapësira administrative. Kampi funksionon si një komunitet i vetëorganizuar dhe me rregulla të brendshme.
Në pamje të parë duket si një botë e izoluar, por brenda saj njerëzit jetojnë një realitet krejt tjetër , të ndarë mes kujtimeve të së shkuarës dhe një përkushtimi të plotë ndaj kauzës së tyre politike.
“Ne nuk kemi jetë personale. E kemi vendosur gjithë jetën tonë në shërbim të vendit”, shprehen ata.
Një nga hapësirat më simbolike është “Muzeu i Rezistencës”, ku paraqitet historia e organizatës dhe, sipas saj, 120 vite përpjekje për liri të popullit iranian. Në këtë muze, historia nuk është thjesht e ekspozuar , ajo duket sikur jeton në çdo mur, në çdo fotografi, në çdo send të ruajtur me kujdes.
Aty ekspozohen fotografi të panumërta të viktimave, fytyra që mbeten si dëshmi e një historie të dhimbshme dhe të gjatë. Pranë tyre, punime dore të sjella nga familjarët, qëndisma të thjeshta, bizhuteri të vogla, sende personale që mbartin një peshë emocionale më të madhe se vetë objektet.
“Ata janë “nderuar” në këtë muze të paktën duke ju vendosur një foto, si simbol i rezistencës dhe flijimit për demokracinë e vendit. Familjarët e viktimave kanë dërguar vet fotot e tyre”, tregojnë ata.
Muzeu është ndërtuar për të treguar historinë e rezistencës kundër regjimeve iraniane, fillimisht kundër Shahut dhe më pas kundër Republikës Islamike pas vitit 1979. Vetë organizata e quan një “muze të gjallë”, sepse përveç objekteve historike, aty ndodhen edhe kujtime që duket sikur flasin.
Sipas materialeve të vetë muzeut, gjithçka nisi në vitet ’80, kur MEK filloi të ruante me kujdes sendet personale të anëtarëve të vrarë ose të burgosur. Muzeu i parë u hap në Ashraf 1 në Irak dhe më pas u rindërtua këtu, në Ashraf 3, si një vazhdim i një historie që nuk u ndërpre kurrë, vetëm ndryshoi vend.
Qëndisma, punime në varset e tyre, bizhuteri, çdo detaj që e bënte edhe më të gjallë këtë eksperiencë.
Nën dritat e zbehta të neonit, në një dhomë të vogël dhe të ftohtë, bie në sy një sallë e improvizuar gjyqi, e quajtur nga muxhahedinët “Komisioni i Vdekjes”. Një hapësirë e rikrijuar për të treguar, sipas tyre, një nga episodet më të errëta të persekutimit politik në Iran.
Anëtarët e MEK rrëfejnë se të burgosurit mbaheshin aty vetëm për pak minuta , shpesh jo më shumë se dy, përpara se të vendosej fati i tyre. Sipas tyre, pyetjet ishin të drejtpërdrejta dhe pa kthim pas: “A je gati të mohosh MEK dhe drejtuesit e saj?”, “A je i gatshëm t’i bashkohesh forcave të armatosura të Republikës Islamike në luftën kundër MEK?”, “A je i gatshëm të raportosh shokët dhe të bashkëpunosh me agjentët tanë të inteligjencës?” apo edhe pyetja më tronditëse: “A je i gatshëm t’i bashkohesh skuadrës së pushkatimit?”. Sipas rrëfimeve të tyre, përgjigjja e gabuar mund të nënkuptonte fundin.
Në disa salla, koha duket sikur ndalet. Arkitektura, ekspozitat dhe hapësirat përdoren edhe për konferenca politike dhe takime ndërkombëtare. Një nga sallat kryesore mban emrin “Zohre Hall”, në kujtim të Zohre Qaemi, figurë e MEK e vrarë në Irak në vitin 2013.
Por ndoshta pjesa më e fortë e gjithë përjetimit janë “dhomat e vdekjes”, ku janë rindërtuar skena nga burgjet dhe vuajtjet e rreth 30 mijë të burgosurve politikë. Në këto hapësira, torturat fizike dhe psikologjike paraqiten me një realizëm që të rëndon hap pas hapi, ndërsa kalon nga një skenë në tjetrën.
Vihen re dënime të ndryshme për burrat dhe gratë, nga torturat psikologjike deri te ato fizike.
Sot, Ashraf 3 mbetet një nga strukturat më të veçanta dhe më të diskutuara në Shqipëri , një komunitet politik në mërgim dhe një nyje e ndërlikuar e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Dhe mes gjithë këtyre rrëfimeve, mbetet një ndjesi e fortë: një botë e ndërtuar larg botës, ku kujtesa, politika dhe jeta e përditshme bashkëjetojnë në një hapësirë që nuk ngjan me asgjë tjetër rreth saj, duke e bërë Shqipërinë dëshmitare të një historie që vazhdon të shkruhet ende.
























