Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, ishte i ftuar këtë mbrëmje në emisionin “Now” me Erla Mëhillin ku komentoi ngjarjen e një dite më parë në fshatin Orosh, ku Julian Cumraku dhe Erzen Uka qëndruan për 12 orë të ngujuar në një banesë të vjetër dhe kërcënonin RENEA-n se do të qëllonin me armë. Karamuço u shpreh se fatmirësisht operacioni i antiterrorit ishte i suksesshëm ndërsa zbuloi edhe disa detaje.
Ervin Karamuço u shpreh se antiterrori dërgoi fillimisht policinë e zonës për të trokitur në derën e shtëpisë ku fshiheshin dy personat, si një karrem për të kuptuar nëse do kishte rezistencë ose jo.
Të gjendur në këto kushte, antiterrori kërkoi mbështetjen e RENEA-s dhe menjëherë nisën negociatat dhe ishin të gatshëm për çdo situatë.
Eksperti i kriminalistikës theksoi se kemi të bëjmë me goditjen në hapat e parë të një celule të mirëfilltë radikale, terroriste islamike në veri të Shqipërisë.
“Kemi të bëjmë me persona të radikalizuar duke qenë pjesëtarë të FA-ve tona, sigurisht në kushte patologjike mendore. Në këtë patologji mendore ku ti fillon dhe mendon për xhihadin, ka një sjellje tjetër e cila referohet nga shërbimet inteligjente partnere, shërbimet inteligjente tonat që kanë njësi antiterrori dhe pastaj ia kalojnë njësisë së antiterrorit të policisë, që janë për zbatim.
Monitorim, vëzhgim, dhe pastaj ndërhyrje për neutralizim dhe arrestim. U sigurua informacioni që janë në një shtëpi, kanë armatim, që bëjnë stërvitje. Nuk kanë qenë vetëm në shtëpi. Kanë rë në sy të banorëve të zonës. Policia këta i ka lokalizuar përmes disa aparaturave dhe nuk ka ndërhyrë antiterorri.
Ka dërguar për të parrë policinë e zonës për të parë kush banon, si një karrem për të parë. Kur nuk është hapur dera dhe ka pasur rezistencë, antiterrori ka kërkuar RENEA-n sepse kanë kuptuar që do bëjnë rezistencë. Duke parë që mund të kishte armë dhe eksploziv, thanë më mirë të kemi dhe RENEA-n.
Kjo nuk ishte shtëpi e zakonshme. Një prej tyre, në mendjet e tyre të sëmura kanë menduar që të modelojnë në miniaturë atë që kanë parë andej në kampet e trajnimit të ISIS-it. Mund të caktonin dhe misione konkrete, por u kapën në fazën konkrete.
Sapo filluan ta krijonin këtë celulë. Ka vite që figurojnë tek antiterrori. Kanë qenë aktivë në rrjete sociale, aty janë identifikuar më shumë. Por s’ka pasur alarm me flamur të kuq që këta do arrinin në fazat e para të krijimit të një celule të mirëfilltë radikale, terroriste islamike në veri të Shqipërisë.”-tha Karamuço. M.P.
